Sport

Nga plazhet e Brazilit, në pretendent për Topin e Artë


Pas një vere ku fitoi vetëm trofe, ishte e duhur për Jorginho-n që te Chelsea të kthehej me flokët ngjyrë ari.

“E tmerrshme”, kështu e quajti Hakim Ziyech stilin e flokëve të Jorginho-s, mirëpo ky stil tregoi vetëbesimin e madh që Jorginho ka tani pas fitimit të tre trofeve në tre muaj.

Muajin e kaluar, Jorginho u bë vetëm futbollisti i 11-të që fitoi Champions League-n dhe Evropianin në të njëjtin sezon.

Ky vit ka vënë pikën në rrugën e tij të bukur nga plazhet e Brazilit, në piedestalin e futbollit Evropian.

Pas fitores në Belfast përballë Villarreal-it në kuadër të Superkupës Evropiane, Jorginho kompletoi “hat-trick”-un Evropian.

Ai thotë që fitorja për të është shndërruar në “varësi” dhe 29-vjeçari është “i urritur” edhe për më shumë trofe.

Një futbollist që u largua nga shtëpia si fëmijë, dhe që u detyrua të jetojë me 20 euro në javë si lojtar i ri në Itali.

Ai fëmijë, tani është i cilësuar një nga favoritët kryesorë për të fituar çmimin më prestigjioz individual, Topin e Artë.

Si një përgatitje parasezonale e bindi Lampard-in

U duk si fillimi perfekt kur Maurizio Sarri dhe Jorginho të dy iu bashkuan Chelsea-s nga Napoli.

Tifozët ishin shumë të entuziasmuar kur Jorginho vizitoi dyqanin e Chelsea-s me nënën e tij, Maria Tereza Freitas, e cila shpërtheu në lot kur emri i djalit të saj u stampua në fanelën blu të londinezëve.

Mirëpo, aventura e tij te Chelsea shpejt u kthye në një eksperiencë të hidhur, me Jorginho-n që nga tifozët cilësohej si “djali i Sarri”-t.

Me Sarri-n që nuk prodhonte rezultatet e duhura, filluan edhe vërshëllimat në drejtim të Jorginho-s, që konsiderohej si pika e dobët e skuadrës.

Edhe pse fitoi Europa Ligën, Sarri u largua pas një sezoni. Jorginho qëndroi, dhe detyra e tij ishte t’i tregonte trajnerit Frank Lampard se sa vlen.

Mund të thuhet se Lampard dhe drejtuesit e Chelsea-s nuk ishin aq të bindur me brazilianin.

Por, Jorginho e kaloi testin ‘Lampard’ në përgatitjet parasezonale të Dublin-it.

Brenda Chelsea-s, thuhet se Lampard ishte i surprizuar kur e pa që Jorginho është ‘piloti’ i skuadrës, jo vetëm për atë që bën në fushë, por edhe për marrëdhëniet që ka me shokët e skuadrës.

Ai gjithmonë është afër futbollistëve që po kalojnë një periudhë të dobët, por gjithmonë është i drejt për t’iu treguar se çfarë po shkon gabim.

Pas turneut të Dublinit, Lampard vendosi që skuadrën e tij ta ndërtojë rreth Jorginho-s, e braziliani vetëm u përmirsua, sidomos pas ardhjes së Thomas Tuchel në stolin e “Stamford Bridge”.

Si i ndihmoi nëna e tij që të mos dorëzohej në Itali

Kur u vërshëllye nga tifozët e Chelsea-s, Jorginho u shpreh se ai “nuk dyshon fare te vetja” dhe që “do të punoj shumë për të fituar besimin e skeptikëve”.

Ky mentalitet është diçka që e ka përcjellur qysh nga ditët e tij të parë, kur ai u rrit nga nëna e tij në Santa Catarina të Brazil-it.

Kur tregoi potencialin e tij të vërtetë, në moshën 13-vjeçare ai shkoi në një shkollë 200 kilometra larg shtëpisë, dhe pastaj si 15-vjeçar, u zhvendos në Verona të Italisë.

Ishte një lëvizje ëndrrash, por Jorginho e cilësoi shumë të vështirë aspektin që ai duhet të jetonte me 20 euro në javë, dhe të mos bënte asgjë pos stërvitjes dhe shkollës.

Pastaj, ai u takua me një portier brazilian, i cili i tha që agjenti i tij mund ta ketë vjedhur.

“Ne bëmë disa kërkime, dhe e zbuluam që agjenti im po më vidhte para, gjë për të cilën unë nuk kisha asnjë ide”, tha Jorginho në vitin 2019.

“Në atë pikë, isha shumë afër dorëzimit”, vazhdoi ai, “e telefonova nënën time, i mbushur lot, duke i thënë që dua të kthehem në shtëpi dhe të mos luaj më futboll”.

“As mos e mendo, je shumë afër që të arrish qëllimin tënd. Duhet të qëndrosh aty dhe të jesh i fortë”, ishte përgjigja e nënës së tij.

Kjo këshillë u kthye në më të mirën për Jorginho-n, i cili tani po kalon momentin më të mirë në karrierë.

Një huazim te Verona i dha atij mundësinë në Serinë B, dhe që nga ajo kohë, rruga e tij ka qenë vetëm lartë.

Zgjedhja e Italisë para Brazilit

Mund të ishte një jetë krejtësisht ndryshe për Jorginho-n, i cili tani ka një fëmijë me yllin e “The Voice”, Catherine Harding.

Manchester City ishte i interesuar për shërbimet e tij para se ai t’i bashkohej Chelsea-s në vitin 2018.

Drejtorja sportive e Chelsea-s, Marina Granovskaia e quajti atë “një ndër mesfushorët më të kërkuar në Evropë”.

Kjo ishte për shkak të paraqitjeve të tij në Serie A, që Napoli-n e afruan me titulli për herë të parë pas 25 vitesh.

Paraqitjet me Napoli-n, e vendosën Jorginho-n në mëdyshjen e të zgjedhurit mes dy shteteve, Italisë apo Brazilit.

Zgjedhja e tij çuditërisht ishte e shpejt, ai vendosi për Italinë.

Jorginho për herë të parë luajti me “Azzurri”-n në vitin 2016, kur së bashku me brazilianin tjetër, Allan, i ndihmuan Napoli-t të jetë vazhdimisht pretendent për titull, por fatkeqësisht pa e fituar atë.

Dyshja formoi një lidhje në mesfushë, duke u bërë dhe shok jashtë fushës, gjë që ishte e rëndësishme kur vendosën për të ardhmen ndërkombëtare.

Jorginho më parë ka thënë që Brazili ka shfaqur interes vetëm njëherë, me Italinë që e kishte telefonuar shumë herë deri sa siguroi shërbimet e tij.

Vendimi sipas Jorginho-s ishte “shumë i vështirë”, por ishte “i duhuri”.

“Normalisht, unë do të doja që ai të luante për Brazilin”, tha Allan.

“Kishte mundësi që edhe unë të bashkohem me Italinë, por unë zgjodha Brazilin, ai Italinë, shkuam në rrugë të ndryshme”.

“Këto janë vendime personale”, vazhdoi Allan, “Jorginho zgjodhi Italinë dhe unë jam shumë i lumtur për të, jam edhe më i lumtur kur po e shoh se çfarë po arrin ai”.

“Ai gjithmonë ka punuar shumë, duke dhënë të gjitha që ka, pa marrë parasysh se a ka qenë në ndeshje apo në stërvitje”.

“Suksesi i tij nuk është surprizë”, tha Allan për fund, “ai ishte dhe mbetet një nga shokët më të mirë. Është një njeri fantastik, edhe përtej futbollit”.

Jorginho, një djalosh që karrierën e filloi në plazhet e Brazilit, tani është pretendent kryesorë për Topin e Artë, falë punës së palodhshme dhe dedikimit të madh për futboll.

Një shembull për t’u ndjekur, për të gjithë që janë afër të dorëzohen në ëndrrat e tyre.

Përshtatur nga BBC Sport, për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore