Shqipëria

New York Times: Cila ishte fuqia e McGonigal te Edi Rama


E përditshmja amerikane “New York Times” ka publikuar detaje të reja nga hetimi i prokurorëve në Washington duke shkruar se ndërsa ishte ende në FBI, ish-zyrtari Charles McGonigal zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe “ndërmori hapa në dobi të politikanit”.

Botimi amerikan ngre dyshime për përplasje lobimesh, por pa arritur në asnjë konkluzion referuar prokurorëve amerikanë.

Artikulli u përgatit nga gazetarët: Michael Rothfeld, William K. Rashbaum and Kenneth P. Vogel.

Në nëntor, pasi McGonigal u takua përsëri me kryeministrin Rama dhe Dorian Duçkën në Shqipëri, ai kontaktoi të njëjtin prokuror që kishte qenë me të në Austri për një hetim të mundshëm ndaj një lobisti që kundërshtari politik i Ramës kishte punësuar për të pasur mbështetje nga Presidenti Donald J. Trump.

Ngjarjet e detajuara në aktakuzë dhe të dhëna të tjera publike duket se përputhen me përshkrimin e lobistit Nicolas D. Muzin.

Vetëm disa ditë përpara se McGonigal të kontaktonte me prokurorin, më 14 nëntor, Muzin paraqiti një kallëzim në Departamentin e Drejtësisë duke zbuluar lobimin e tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë politike të qendrës së djathtë që sfidonte Ramën. Partia drejtohej asokohe nga Lulzim Basha, i cili ishte vendosur si mbështetës i Trump.

McGonigal hapi një hetim federal për një lobist për Lulzim Bashën, kundërshtar politik i Ramës në Shqipëri, thanë prokurorët.

Një tjetër detaj i ri lidhet me gatishmërinë e McGonigal për t’u takuar me kreun e shtetit në Shqipëri, sipas botimit, një vend që ka një prani diplomatike amerikane.

Kjo e fundit sugjeron se ish-zyrtari nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij atje nga kolegët, thanë ish-zyrtarët.

Ai gjithashtu përdori adresa e emailit dhe telefonin e FBI-së për çështjet që lidhen me Shqipërinë, tha një person me njohuri në hetim.

Por çfarëdo preteksti zyrtar që mund të kishte McGonigal për ato udhëtime dhe shoqata mund të kishte shërbyer gjithashtu si mbulesë për aktivitete më të diskutueshme, thanë të tjerë.

Detajet e NYT-së

Në gusht 2017, thanë prokurorët, ai u takua me Agron Nezën, biznesmen nga New Jersey i përshkruar në aktakuzën e Washingtonit si Personi A.

Përveç Deripaska-s, personat e përmendur në aktakuzat e McGonigal nuk u emëruan.

New York Times i identifikoi ata përmes të dhënave publike dhe intervistave me njerëz të njohur me rastin.

Agron Neza, 59 vjeç, ka lindur në Shqipëri dhe është punësuar nga një agjenci inteligjence atje disa dekada më parë.

Më vonë ai u transferua në Shtetet e Bashkuara, u vendos në veri të New Jersey-it dhe u bë shtetas amerikan. Ai nuk është akuzuar për ndonjë shkelje.

Në takimin e gushtit 2017, McGonigal i kërkoi para Nezës, thanë prokurorët.

Ata nuk dhanë detaje se si u takuan Neza dhe McGonigal, marrëdhënien e tyre si dhe nuk zbuluan arsyen e kërkesës.

Por në aktakuzën e New York-ut, Neza përmendet si miku i McGonigal.

Në muajt pasi McGonigal kërkoi para, ata bënë udhëtime të shumta në Evropë, ku McGonigal me sa duket përdori pozicionin e tij në përpjekjet për të krijuar biznes për Nezën, sugjeruan prokurorët në padinë e Washington-it.

Në shtator 2017, ata udhëtuan për në Shqipëri, thanë prokurorët, ku Neza e prezantoi McGonigal me Dorian Duçkën, një ish-zyrtar shqiptar që shërbente si këshilltar informal i kryeministrit Rama.

Duçka, i përshkruar në aktakuzën e Washington-it si Personi B, e solli McGonigal të takohej me kryeministrin Rama.

McGonigal duket se është përpjekur të shtyjë kryeministrin drejt dhënies së një licence për shpime nafte për një subjekt të lidhur me Nezën dhe Duçkën, sugjeruan prokurorët.

Ish-zyrtari i FBI-së gjithashtu dukej se po përpiqej të ndihmonte Nezën në lidhjen e marrëveshjeve me një politikan dhe biznesmen shqiptar, i cili donte që FBI-ja të hetonte atë, thotë aktakuza e Washington-it.

McGonigal organizoi një udhëtim të mëvonshëm jashtë shtetit që një prokuror amerikan ta intervistonte atë në Austri, duke përdorur Nezën si përkthyes të tij.

Prokurorët sugjeruan se takimi ishte një mashtrim; nuk kishte asnjë procesverbal zyrtar të intervistës dhe Neza nuk ishte paguar për punën.

Në të njëjtën ditë, McGonigal dhe Neza fluturuan për në Shqipëri, ku u takuan me politikanin dhe diskutuan mundësitë e biznesit, thuhet në aktakuzë.

Atë vjeshtë, Neza i dha McGonigal 225 mijë dollarë në para në tre këste, sipas aktakuzës.

Neza bëri një nga pagesat brenda një makine të parkuar në New York City dhe të tjerat në shtëpinë e tij në New Jersey, thanë prokurorët.

McGonigal premtoi se do t’i kthente paratë, sipas aktakuzës. Prokurorët nuk e kanë akuzuar McGonigal për marrjen e ndonjë veprimi zyrtar në këmbim të pagesave.

Në fillim të vitit 2018, Neza vazhdoi t’i transmetonte McGonigal-it informacione, disa prej të cilave erdhën direkt nga zyra e kryeministrit Rama, për Nick Muzin, sipas aktakuzës së Washington-it.

McGonigal më pas do ua përcillte këto informacione të tjerëve në zyrën e FBI në New York.

Në fund të shkurtit, FBI-ja hapi formalisht një hetim për lobistin me kërkesën dhe udhëzimin e McGonigal.

Neza ishte ndër burimet konfidenciale që dhanë informacione gjatë hetimit dhe Duçka pagoi dëshmitarët në Europë për udhëtimet dhe takimet e tyre me FBI-në, thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, McGonigal dështoi të zbulonte kontaktet e tij me Dorian Duçkën apo marrëdhëniet e tij financiare me Agron Nezën, thanë prokurorët.

Nuk është e qartë nëse Departamenti i Drejtësisë ndërmori hapa shtesë për të hetuar Muzin dhe kundër tij nuk u ngrit akuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore