Lajme

Netanyahu nuk i përgjigjet më në telefon zyrtarëve të huaj


Sipas një raportimi të fundit nga Izraeli, kryeministri i vendit, Benjamin Netanyahu, nuk po i përgjigjet më në telefon zyrtarëve të huaj, përfshi aleatë perëndimorë madhorë.

Siç bëhet me dije nga disa media, përfshi dhe atë izraelite Kann News, një burim i besueshëm për lajmet vendore, Netanyahu ka refuzuar disa thirrje nga zyrtarë të huaj, të cilët kanë kërkuar ta bindin atë duke frenuar një kundërpërgjigje të mundshme ndaj Iranit, për sulmin e kryer të shtunën, kur mbi 300 dronë dhe raketa u lëshuan nga Republika Islamike drejt shtetit hebre.

Mesazhet publike ndërkaq kanë qenë të qarta lidhur me çështjen, ku SHBA-të mbi të gjitha e kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin ushtarakisht një përgjigje të izraelitëve ndaj Iranit.

Në një raport pa burim, Kanali 12 i Izraelit pretendon se kabineti i luftës ka marrë vendimin për të goditur “qartë dhe me forcë” kundër Iranit, për sulmin e tij me raketa dhe dronë të shtunën mbrëma.

Përgjigja do të hartohet për të dërguar mesazhin se Izraeli “nuk do të lejojë që një sulm i atyre përmasave kundër tij të kalojë pa reagim”, thuhet në raport.

Përgjigja do të jetë gjithashtu e dizajnuar për të bërë të qartë se Izraeli nuk do t’i lejojë iranianët të “vendosin ekuacionin” që ata kanë kërkuar të pohojnë ditët e fundit. Kjo duket të jetë një referencë ndaj paralajmërimit të Iranit se sulmet e ardhshme izraelite në territorin iranian, duke përfshirë ambientet e tij diplomatike ndërkombëtare, tani e tutje do të përballen përsëri nga sulmet hakmarrëse iraniane ndaj Izraelit.

Raporti thotë se Izraeli nuk dëshiron që përgjigja e tij të ndezë një luftë rajonale, ose të shkatërrojë koalicionin që e ndihmoi të mbrohej kundër sulmit të Iranit. Më tej thuhet se Izraeli synon të koordinojë veprimet e tij me SHBA-të.

Kabineti i luftës është planifikuar të mblidhet përsëri nesër, vë në dukje raporti, dhe rregulloret e komandës së Frontit të Brendshëm nuk janë ndryshuar, duke treguar se një sulm izraelit nuk ka gjasa të ndodhë sot.

Paralelisht, e përditshmja amerikane Wall Street Journal ka raportuar se Izraeli në fakt mund të godasë edhe brenda natës së sotme Iranin, por pa specifikuar se në çfarë përmasash ky sulm mund të jetë.

Aleatët perëndimorë me në krye SHBA-të, njëzëri, kanë kërkuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që të përmbahet në fitoren e korrur nga mbrojtja e fundit që bëri në sulmin e Iranit, ku 99% e raketave u interceptuan.

Por, duket se këto thirrje nuk do të dëgjohen, pasi edhe ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, i ka thënë homologut të tij amerikan, Lloyd Austin, se një përgjigje ndaj Iranit është e paevitueshme dhe e vetmja rrugë për Izraelin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore