Sport

Nëse PSG-ja do të kishte mbajtur ‘fëmijët’ e saj


Klubi i PSG-së tashmë etiketohet si klubi i të pasurve dhe që ka mundësinë të blejë çdo lojtar. Emra të mëdhenj të futbollit si Lionel Messi, Neymar, Kylian Mbappe, Sergio Ramos, Marco Verratti e shumë të tjerë janë pjesë e këtij klubi.

Që nga koha e marrjes së drejtimit të klubit nga Naser Al-Khelaifi, pjestar i familjes së Emirit të Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, janë shpenzuar shuma të mëdha për transferime lojtarësh.

Shpenzimet marramendëse në merkato, duket se nuk lejojnë promovimin e talenteve të akademisë në ekipin e parë. Po të hedhim një sy, në skuadrat me emër të Evropës, ka shumë talente që kanë qenë pjesë e PSG-së.

Nga më të njohurit, deri te më pak të njohurit, akademia e PSG-së ka nxjerr një numër të madh të lojtarëve që kanë një nivel mesatar ose mbi mesatar në rang global në futboll.

Kush janë lojtarët më të spikatur të dalë nga akademia e PSG-së?

I vetmi lojtar i njohur, i dalë nga akademia e klubit dhe që aktualisht aktivizohet me parizienët është Presnel Kimpembe. Qendërmbrojtësi 26-vjeçar. Të tjerët kanë vendosur ta vijojnë karrierën diku tjetër, larg “Parc des Princes”.

Kingsley Coman është një prej këtyre lojtarëve të dalë nga akademia e PSG-së. Fillimisht u largua në drejtim të Juventus-it dhe më pas të Bayern Munich-u, ku luan aktualisht.

26-vjeçari ka fituar 21 trofe, ka shënuar mbi 40 gola dhe ka dhuruar mbi 50 asiste që nga koha e largimit nga Parisi. Coman kushton rreth 65 milionë euro në merkato.

Adrien Rabiot, një tjetër 26-vjeçar dhe një tjetër talent nga radhët e akademisë pariziene. Ai u largua nga klubi në vitin 2019, në drejtim të Juventus-it.

Rabiot është titullar në formacionin bazë të torinezëve. Vlera e kartonit të tij është 30 milionë euro.

23-vjeçari, Christopher Nkunku, mbase është dhe pendimi i madh i PSG-së. Mesfushori është shndruar në një nga më të mirët në Evropë, duke spikatur me gola dhe asiste te Leipzig-u.

Nkunku u largua nga PSG-ja në vitin e 2019. Që nga ajo kohë ai numëron 93 ndeshje me gjermanët, ku ka realizuar 19 gola dhe 30 asiste. Vlera e kartonit të tij është rreth 43 milionë euro.

Moussa Diaby, lojtari anësor 22-vjeçar i Bayer Leverkusen-it. Edhe Diaby u largua nga Parisi në vitin 2019. Me gjermanët ka realizuar 91 paraqitje, 21 gola dhe 24 asiste.

Vlera e tij në merkato është rreth 40 milionë euro.

Odsonne Edouard, sulmuesi 23-vjeçar i Crystal Palace. Në vitin 2018 ai u largua në drejtim të Celltic-ut dhe këtë vit u transferua në Angli.

Me skocezët realizoi 179 paraqitje, 86 gola dhe 39 asiste. Në Premier League, ka shënuar dy gola në tre paraqitjet e para. Vlera e kartonit të tij është 17 milionë euro.

Mike Maignan, portieri 26-vjeçar i Milan-it, për të cilin kuqezinjtë paguan 13 milionë euro te Lille këtë verë. Aktualisht vlen pothuajse dyfish.

Maignan-i u afrua për të zëvendësuar Gianluigi Donnarumma-n, që kaloi te PSG-ja. Në 2013, ai u largua nga PSG-ja në drejtim të Lille-s. Sezonin e kaluar, arriti t’i rrëmbente titullin kampion në Ligue 1 parizienëve.

Jonathan Ikone, sulmuesi 23-vjeçar i Lille, u largua nga PSG-ja në vitin 2018, për vetëm 5 milionë euro. Aktualisht në merkato kartoni i tij vlen 30 milionë euro.

Ai numëron 136 paraqitje me Lille-n, nga ku ka shënuar 15 gola dhe ka dhuruar 25 asiste.

Boubakary Soumare, mesfushori me tipare mbrojtëse i Leicester-it. 22-vjeçari u largua nga PSG-ja në vitin 2017, për në drejtim të Lille-s. Në verën e këtij viti për shumën e 20 milionë eurove kaloi në Angli.

Mesfushori numëron rreth 120 paraqitje me Lille-n dhe Leicester-in, në të gjitha kompeticionet. Aktualisht ai vlen rreth 30 milionë euro.

Lojtarë të tjerë të dalë nga akademia e PSG-së janë: Yacine Adli, Tanguy Kouassi, Adil Aouchiche, Timothy Weah, Stanley N’Soki, Antoine Bernede, Jean-Kevin Augustin dhe shumë të tjerë.

Ndërsa, për t’u vëzhguar për të ardhmen janë: El Chadaille Bitshiabu, Ismael Gharbu, Arnaud Kalimuendo dhe Edouard Michut. Per ta PSG-ja ende nuk e ka vendosur përfundimisht nëse do të jenë pjesë e të ardhmes së klubit, apo do të largohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore