Gjykata Speciale

Nëntë persona të tjerë pranohen në procesin gjyqësorë ndaj ish krerëve të UÇK-së


Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Michael Doyle, ka bërë të ditur se ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë pranuar edhe nëntë persona të tjerë në cilësinë e “viktimës”.

Doyle, tha se vendimi është marrë në janar të këtij viti, por që është publikuar tani.

“Trupi Gjykues bëri publik vendimin që lëshoi në janar lidhur me disa persona që ridorëzuan kërkesat për t’u pranuar si viktima, pas urdhrit të trupit gjykues për informacione shtesë. Trupi Gjykues vendosi të pranojë nëntë parashtrues kërkesash që fillimisht i kishte refuzuar pasi i kishin dorëzuar kërkesat pas afatit të përcaktuar nga trupi gjykues”, deklaroi Doyle.

Ai sqaroi se nëntë parashtruesit e pranuar kanë rrethana personale të ndryshme dhe banojnë në zona të ndryshme.

“Nëntë parashtruesit e pranuar kanë rrethana personale të ndryshme, banojnë në zona të ndryshme si dhe flasin gjuhë të ndryshme. Në të njëjtën kohë, duke qenë se ishin objekt i krimeve të pretenduara të ngjashme në rrethana përgjithësisht të ngjashme, u gjykua se kanë interes të përbashkët të marrin pjesë në proces dhe të kërkojnë të drejtat e tyre”.

“Rrjedhimisht, parashtruesit iu bashkuan grupit ekzistues të viktimave pjesëmarrëse dhe përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës”, tha Doyle.

Nga trupi gjykues po pretendohet se viktimat kanë qenë në vendet e përmendura në aktakuzë.

“Në vendimin e janarit, gjykatësit dolën në përfundimin se për tetë prej parashtruesve nuk kishte qenë praktikisht e mundur t’i dorëzonin kërkesat para afatit dhe se ishte në interes të drejtësisë të shqyrtohej themelësia e kërkesës së parashtruesit të nëntë”.

“Trupi Gjykues u bind se nëntë parashtruesit ishin viktima të krimeve që pretendohet se u kryen në vendet e përmendura në Aktakuzë gjatë periudhës kohore përkatëse”.

Në Speciale, të mërkurën ka përfunduar dëshminë dëshmitari i 60-të.

Në gjykimin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbrojtja e Rexhep Selimit, Eric Tully, ka kërkuar që një prej dëshmive që do të dëgjohet javën e ardhshme të mos ketë vlerë provuese.

Këtë mbrojtja e ka kërkuar pasi që të njëjtëve nuk u ishte dhënë prova materiale, ndërkaq dëshmitari të njëjtat i ka analizuar gjerë e gjatë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore