Lajme

Nënkryetarja e PE-së: BE-ja vendosi sanksione të njëanshme ndaj Kosovës, dërgoi sinjale kontradiktore në rajon


Katarina Barley

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian (PE), Katarina Barley, në një përgjigje për gazetën gjermane “Frankfurter Rundschau” të enjten, tha se Komisioni Evropian (KE) vendosi “sanksione të njëanshme” ndaj Kosovës në qershor të vitit të kaluar, duke përçuar “sinjale kontradiktore” në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Në mosmarrëveshjen midis Serbisë dhe Kosovës, për shembull, komisioni vendosi në mënyrë të njëanshme sanksione vetëm për Kosovën qershorin e kaluar. Duke e bërë këtë, ai dërgoi sinjale kontradiktore”, theksoi politikania gjermane nga radhët e Partisë Sociademokrate të Gjermanisë (SDP).

Në deklaratën e 27 shteteve anëtare të bllokut u parapanë tri kushte për largimin e masave ndëshkuese të vendosura në qershor: depërshkallëzimi i situatës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore dhe angazhimi konstruktiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Sanksionet ndaj Kosovës u vendosën në qershor të vitit të kaluar për shkak të mosdëgjueshmërisë së autoriteteve kosovare dhe dështimit të qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për depërshkallëzimin e situatës në veri të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore