Lajme

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi: Shqiptarët kontribuan në krijimin e shtetit malazez


Genci Nimanbegu

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe kryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, të dielën uroi të gjithë qytetarët malazezë për festën e Pavarësisë së Malit të Zi, veçanërisht “popullin autokton shqiptar” për kontributin në krijimin e shtetit malazez.

“Kemi dhënë një kontribut në krijimin e shtetit të Malit të Zi, me qëllim që të mundësojmë dhe sigurojmë barazi, zhvillim ekonomik dhe përfaqësim autentik që na është mohuar për dekada të tëra”, deklaroi ai, transmeton televizioni publik malazez “RTCG“.

Nimanbegu shtoi se shqiptarët presin me padurim mundësinë për t’u dhënë përgjigje dhe zgjidhje sfidave me të cilat përballen të rinjtë dhe shoqëria malazeze në tërësi në një kohë kur drejtimi euroatlantik po vihet në pikëpyetje nga forcat pro-serbe dhe pro-ruse.

“Për ne këto janë synime madhore për të cilat do të insistojmë dhe do të përpiqemi edhe më shumë se më parë. Ne vlerësojmë rëndësinë që Mali i Zi i pavarur ka në rajonin tonë me politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit”, përfundoi ai.

Më 21 maj të vitit 2006, qytetarët e Mali të Zi, përmes votës në referendum, mbështetën pavarësinë nga Serbia. Për suksesin e referendumit ka qenë e nevojshme mbështetja e së paku 55% të votuesve. Vota pro pavarësisë e pakicës shqiptare ka qenë vendimtare.

Pavarësia e Malit të Zi është shpallur më 3 qershor të vitit 2006, ndërkohë që më 28 qershor të atij viti Mali i Zi u bë anëtar i 192-të i Kombeve të Bashkuara, ndërsa më 11 maj 2007 anëtar me të drejta të plota i Këshillit të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore