Sport

Nedim Bajrami përfundon në radarin e Bologna-s


Futbollisti i kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, ka përfunduar në radarin e klubit të Bologna-s.

Lajmin e ka bërë të ditur “Corriere dello Sport”, sipas të cilëve Bajrami është ndjekur nga menaxherët e klubit të Bologna-s në ndeshjen Shqipëri – Moldavi.

Në këtë ndeshje, mesfushori 24-vjeçar pati paraqitje shumë të mirë, ku arriti të shënojë edhe një gol në fitoren e kuqezinjve me rezultat 2:0.

Bajrami aktualisht është pjesë e Sassuolo-s, të cilëve iu bashkua në janar të këtij viti nga Empoli në formulën e huazimit me obligim blerje për shifrën e 6 milionë eurove në verën e këtij viti.

Megjithatë, mediat italiane shkruajnë se ai mund të bëhet pjesë e ekipit të Bologna-s, ku futbollisti kuqezi pëlqehet shumë nga trajneri i tyre, Thiago Motta.

Kujtojmë që Bajrami deri më tani ka luajtur vetëm në 18 ndeshje me fanellën e Sassuolo-s, prej të cilave ka shënuar dhe asistuar nga një herë.

Ndërkohë, momentet më të mira ai i kishte tek Empoli, me të cilët kishte shënuar 22 gola dhe kishte dhuruar po aq asistime në 127 ndeshje në të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore