Lajme

Në Spanjë filmi “Zgjoi” fitues i dyfishtë


Aktorja kosovare Yllka Gashi ka fituar Çmimin aktorja më të mirë, për portretizimin e Fahrije Hotit në filmin “Zgjoi”.

Gashi këtë çmim e ka fituar në Festivalin spanjoll “Seminci” dhe atë në kategorinë kryesore.

Aktorja kosovare Yllka Gashi

Kurse filmi “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit ka fituar Çmimin “Fundos”.

“Është një histori e veçantë, specifike, e që ndodh në Kosovë, por është gjithashtu një histori universale që frymëzon këdo në botë”, ka thënë Gashi gjatë pranimit të çmimit.

Sepse kjo sipas saj “tregon historinë e dikujt që vuan, por që i duhet të kalojë këtë situatë e të arrijë qëllimet e veta. Është një histori e vërtetë dhe më pëlqen që në filma mund të shohësh edhe gra të forta, jo vetëm viktima”.

“Pra, të shohësh gra që janë të afta të marrin në dorë fatin e tyre”, duke shtuar tutje Gashi ka thënë se ka qenë nderi i jetës së saj të luaj këtë rol dhe “të nderoj Fahrijen”.

Drama është e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, të cilat luftojnë kundër patriarkatit dhe filmi “Zgjoi” ka vë në pah rrëfimin e Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha e Madhe.

Festivali Ndërkombëtar i Valladolidit sivjet po e mban edicionin e 66-të.

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Zgjoi” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, nga pesë nëntori do të shfaqet edhe në kinematë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Aktorja Yllka Gashi, e cila ka edhe rolin kryesor në këtë film ka treguar se “Zgjoi”, do të shfaqet në New York me datën pesë nëntor dhe në 12 nëntor në Los Angles.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore