Zgjedhjet në Kosovë

“Në Skënderaj fitoi lakmia më shumë se lavdia!”


Bekim Haxhiu

“Bekim Hamëz Jashari, për Drenicën, për mua dhe familjen time mbetesh kryetari më i respektuar e emblematik i Skenderajt”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, ish Ministri i Shëndetësisë nga PDK, Bekim Haxhiu.

“Unë, përkrahësit dhe votuesit tuaj jemi me kokën lartë, krenarë që jetojmë në këtë epokë ku na u dha mundësia ta votojmë Bekim Hamëz Jasharin për kryetar komune”, ka shkruar më tej Haxhiu.

Bekim Jashari doli i dyti në garë për të parin e Skenderajt, pasi që për 3 mijë e 765 vota më shumë, i pari në listë doli Fadil Nura nga Partia Demokratike e Kosovës.

Edhe pse i përket të njëjtës parti, kandidati i së cilës doli fitues në Skenderaj, Haxhiu, vlerëson se Bekim Jashari si kandidat i pavarur do të bënte punë më të mirë.

“Kokën lartë si çdo herë me Jasharajt dhe me Bekim Jasharin për punën që ka bërë në qeverisje të Skënderajt, me transparencë, pa korrupsion, pa nepotizëm”.

“Të pikëlluar e me kokën ulur duhet të jenë ata që ia humbën Skenderajt mundësinë e artë me Bekim Jasharin në realizimin e projekteve për zhvillim dhe ndërtim të Drenicës”.

Haxhiu i doli në mbështetje Bekim Jasharit edhe gjatë fushatës zgjedhore duke përmendur kontributin që familja Jashari bëri për Kosovën.

“Jasharajt e ndërruan historinë. Ata janë vet historia moderne. Ata na e mundësuan edhe 17 tetorin 2021. Pa Jasharajt nuk do të kishte as UÇK, as Liri, as Pavarësi as demokraci as parti”, ka thënë ndër të tjera Haxhiu.

Bekim Jashari, djali i Hamëz Jasharit, ndër të paktët që mbeti gjallë pas sulmit qe forcat serbe bënë familjes së tij në vititn 98’të, udhëhoqi me komunën e Skenderajt në katër vitet e fundit, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2017, në të cilat i hyri garës si kandidat i pavarur.

“Bekim, sa herë të takoj ty, bacin Rifat, Besartën, e vij në vizitë te varret e 56 anëtarëve të familjes tuaj Jashari, e di që nuk do të me vrasë ndërgjegjja. Ju nuk jeni kalimtarë, Ju jeni themeli i pavarësisë e nderi i shqiptarisë”, është shprehur Haxhiu.

“Në Skënderaj fitoi lakmia më shumë se lavdia!”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore