Lajme

Në Samitin e Londrës, Gërvalla e quan gënjeshtar Vulinin


Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla bashkë me homologët e pesë vendeve të tjera, në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor

Si përfaqësuese e Kosovës, në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Londër të Britanisë së Madhe, ministrja Donika Gërvalla, ka folur edhe për Reçakun.

Ajo e ka quajtur gënjeshtër deklaratën e Ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin, ditë më parë, për Reçakun, se ajo ngjarje ishte inskenuar nga shqiptarët dhe nuk ishte e vërtetë.

“Kosova nuk është e vetmja që kërcënohet”, ka deklaruar Ministrja Gërvalla, fjalimi i së cilës u bë publik nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Kemi të bëjmë me një përshkallëzim sistematik të retorikës, ku si shembuj të freskët mund të përmendim lëvdimin zyrtar që iu bë kriminelëve të luftës si Ratko Mladiç nga një aleat i afërt i Presidentit Vuçiç, Ministri Vulin, dhe gënjeshtrën e tij të pastër vetëm pak ditë më parë në lidhje me njërën prej masakrave më mizore në Kosovë, masakrën e Reçakut, e cila kishte nxitur një ndryshim të shpejtë në qëndrimin e Perëndimit karshi Kosovës”.

“E gjithë kjo nuk po ndodh rastësisht. Udhëheqësia aktuale serbe po e rrit në mënyrë sistematike propagandën dhe gjuhën e urrejtjes në kuadër të programit të qeverisë për ta sulmuar Perëndimin dhe NATO-n për ndërhyrjen humanitare dhe për ta barrikaduar Serbinë prapa një qasjeje agresive, përsëri, kundër fqinjëve të saj”, ka deklaruar Gërvalla.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Serbisë e ka miratuar edhe zyrtarisht një strategji e cila përdor një version të riformuluar të ideologjisë së “Serbisë së Madhe” e cila çoi në katastrofë në Ballkan në vitet e 1990-ta. Në vitin 2021 një zyrtar qeveritar thërret për “Botën Serbe” dhe sërish nacionalizmi serb thotë që të gjithë serbët e rajonit duhet të jetojnë nën sundimin serb, siç tha z. Vulin në verën e këtij viti në prani të z. Vuçiç”.

“Nacionalistët serbë po e kërcënojnë Kosovën me luftë, po provokojnë ndarje në Bosnje dhe Hercegovinë, siç bënë edhe në vitin 1991, si dhe po përpiqen të destabilizojnë së brendshmi edhe vendet e tjera. Këto nuk janë incidente të veçuara; ato janë pjesë e një fushate sistematike për destabilizimin e rajonit, e ndërmarrë nga Rusia dhe përfaqësuesja e saj Serbia”.

Ndër të tjera Gërvalla ka thënë se Serbia, “e ka kërcënuar vendin tonë me luftë para pak javësh, duke dërguar automjete të blinduara, trupa dhe bile edhe aeroplanë luftarakë në kufirin tonë, ndërsa ambasadori rus në Serbi iu bashkëngjit trupave dhe e mirëpriti këtë akt agresioni”, kur Kosova po zbatonte masën e reciprocitetit me targat në pikat kufitare në Veri.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvall

Ministrat e Punëve të Jashtme të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të hënën e 13 dhjetorit ishin mysafirë të Sekretares së Jashtme të Britanisë së Madhe, Liz Truss.

Në kuadër të takimit, të pranishëm ishin edhe emisarët special të deleguar për Ballkanin e sidomos për dialogun Kosovë-Serbi, të deleguara nga fuqitë përkatëse si Miroslav Lajçak i Bashkimit Evropian, Gabriel Escobar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe Stuart Peach i Mbretërisë së Bashkuar.

në Samiti i Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Londër të Britanisë së Madhe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore