Lajme

Në Rusi kanë mbërritur 300 mercenarë sirianë për luftën në Ukrainë


Qindra militantë sirianë po shkojnë në Ukrainë për të luftuar në anën e Rusisë dhe të paktën 300 kanë mbërritur tashmë në Rusi për stërvitje.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja amerikane “New York Times”.

Publikimi, duke cituar një burim anonim, vë në dukje se motivimi për mercenarët sirianë janë paratë.

Kontingjenti i parë i ushtarëve tashmë ka mbërritur në Rusi për stërvitje ushtarake përpara se të nisej për në Ukrainë.

Ai përfshin të paktën 300 ushtarë nga një njësi e ushtrisë siriane që punon ngushtë me rusët që luftuan në Siri në anën e Bashar al-Asad gjatë luftës siriane.

Shumë mercenarë mund të jenë rrugës, pasi rekrutuesit në të gjithë Sirinë kanë përpiluar lista me mijëra kandidatë të interesuar.

Fillimisht ata u kontrolluan nga shërbimet siriane të sigurisë dhe më pas iu dorëzuan rusëve.

Rekrutuesi tha në kushte anonimiteti për prestigjozen amerikane se rusët duan të vendosin 16 mijë sirianë në Ukrainë.

Sipas tij, duhet të jenë meshkuj të moshës 20 deri në 45 vjeç me peshë nga 50 deri në 90 kg. Përparësi kanë ata që kanë përvojë luftarake.

Atyre u premtohet një pagë prej 1 mijë deri në 2 mijë dollarë në muaj.

Rreth 300 ushtarë tashmë në Rusi janë anëtarë të Divizionit të 25-të të Ushtrisë Siriane, të njohur si Forcat Tiger, e cila konsiderohet elitare dhe punon ngushtë me ushtrinë ruse.

Rusët u ofruan 1 mijë e 200 dollarë në muaj për gjashtë muaj me 3 mijë dollarë bonus pas kthimit në Siri.

Në rast të vdekjes së tyre, familjeve u premtohen 2 mijë e 800 dollarë, plus 600 dollarë në muaj për një vit të tërë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore