Lajme

Në rrezik zhdukjeje gjysma e llojeve të pemëve të egra në botë


Raporti më i plotë global deri më tani, ka paralajmëruar se afro gjysma e llojeve të pemëve të egra në botë kërcënohen me zhdukje, duke paraqitur rrezikun e kolapsit më të gjerë të ekosistemit.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se pastrimi i pyjeve për bujqësinë rezulton të jetë shkaku më i madh i zhdukjes, sipas raportit të Gjendjes së Pemëve të Botës, i cili u publikua të mërkurën e 1 shtatorit së bashku me një thirrje për veprime urgjente për të ndryshuar rënien.

Ky studim ndërkombëtar pesëvjeçar, ka zbuluar se 17 mijë e 510 lloje pemësh janë të kërcënuara. Një shifër që është dyfishi i numrit të gjitarëve të kërcënuar, zogjve, amfibëve dhe zvarranikëve.

Thuajse 29.9 për qind e 58 mijë e 497 llojeve të pemëve të njohura në botë.

Mirëpo, përqindja në rrezik ka të ngjarë të jetë më e lartë pasi 7.1 për qind të tjera u konsideruan “mbase të kërcënuara” dhe 21.6 për qind u vlerësuan jo sa duhet. Vetëm 41.5 për qind u konfirmuan si të sigurt.

Problemi ishte i dukshëm në të gjithë globin.

Brazili – shtëpia e pyllit më të larmishëm të planetit, Amazon – kishte më së shumti lloje pemësh të kërcënuara të llogaritura në 1 mijë e 788. Në Kinë, kombi i gjashtë nga biodiversiteti në botë, magnolia, kamelia dhe panja ishin ndër 890 speciet në rrezik.

Shtetet ishullore tropikale, veçanërisht Madagaskari, janë prekur në mënyrë disproporcionale. Ngjashëm edhe në Evropë, e cila është relativisht e varfër për nga diversiteti natyror, ka pasur një rënie alarmante.

Nga ana tjetër, botanistët i përshkruajnë pemët si “shtylla kurrizore e ekosistemit natyror”. Edhe pse vetëm 0.2 për qind e specieve janë zhdukur deri më tani, autorët kanë thënë se një rënie e përshpejtuar mund të ketë efekte të tmerrshme goditëse.

Kjo pasi njerëzit ndikohen drejtpërdrejt nga humbja e sekuestrimit të karbonit, prodhimi i oksigjenit, lënda drusore për ndërtim, lëndë djegëse për zjarret, përbërës për ilaçe dhe ushqim, mbrojtës nga stuhitë dhe mirëqenia që vjen nga hija.

Ndoshta më të rëndësishme janë ndikimet indirekte në sistemet natyrore të mbështetjes së jetës. Në shumë pjesë të botës, pemët janë shtyllat e një ekosistemi të shëndetshëm. Pa to, bimë të tjera, insekte, zogj dhe gjitarë, janë duke luftuar për të mbijetuar.

“Pemët janë thelbësore…është si një kullë Jenga. Tërhiq atë të gabuar dhe ekosistemi shpërbëhet”, ka thënë autori kryesor i raportit, Malin Rivers, kreu i prioriteteve të ruajtjes në Botanic Gardens Conservation International (BGCI). “Kur shikoj këto shifra, ndjej se duhet të veprojmë”.

Sipas “The Guardian”, raporti identifikon kërcënimet kryesore për pemët.

Bujqësia (të korrat 29 për qind dhe blegtoria 14 për qind) zë vendin e parë, e ndjekur nga prerjet (27 për qind), strehimi dhe zhvillimet e tjera tregtare (13 për qind), zjarri (13 për qind), minierat (9 për qind) dhe speciet invazive (tre për qind).

Kurse ndryshimi i klimës është në fund të listës i llogaritur me katër për qind, megjithëse kjo nuk përfshin presionin që shton mbi zjarrin dhe bujqësinë.

Gerard T Donnelly, presidenti i Arboretumit Morton në Illinois, SHBA, ka shpresuar që politikëbërësit të përdorin studimin novator si një mjet ruajtjeje:

“Ky raport bën të qartë se pemët e botës janë në rrezik. Ai u zhvillua përmes viteve të kërkimit dhe bashkëpunimit të fuqishëm midis organizatave kryesore në botë për ruajtjen e pemëve dhe do të drejtojë veprime të mëtejshme të informuara shkencërisht për të parandaluar zhdukjen e pemëve”, ka sqaruar ai.

Ndërsa BGCI ka rekomanduar një zgjerim të mbulimit të zonës së mbrojtur për speciet e kërcënuara, fushata mbjellëse që përqendrohen në popullatat me rrezik më të lartë, bashkëpunim më të ngushtë global, më shumë fonde për përpjekjet e ruajtjes dhe përpjekje më të mëdha për të mbështetur speciet në kopshtet botanike dhe bankat e farërave.

Grupi ka prezantuar portalin e quajtur GlobalTree, një bazë të dhënash në internet që ndjek përpjekjet e ruajtjes për specie, vende dhe nivel global.

“Për herë të parë, ne e dimë se cilat specie kërcënohen, ku janë dhe si kërcënohen, kështu që ne mund të marrim vendime më të informuara për ruajtjen”, ka thënë Rivers. “Këto specie nuk janë zhdukur ende. Ende ka shpresë. Ende ka mënyra për t’i kthyer ato”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore