Lajme

“Ne nuk jemi popull dele” – protestohet në Prishtinë, kundërshtohet mbyllja e rrugës “Xhorxh Bush”


Qyteti i Prishtinës.

Këtë të diele, pra më 14 janar, do të organizohet një protestë nga qytetarët e Komunës së Prishtinës, për të kërkuar kështu hapjen e rrugës “Xhorxh Bush”.

Protesta është njoftuar nga faqja “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë” në llogarinë e tyre në Facebook, përmes të cilës ata raportojnë për problemet e ndryshme të kryeqytetit.

“Pas mbylljes së rrugës, kemi përballuar një problem të vazhdueshëm me trafikun dhe kolonat e gjata që kanë shkaktuar ndërprerje në qarkullim. Protesta jonë është e organizuar në mënyrë paqësore dhe e ligjshme për të shprehur nevojën tonë për të hapur këtë rrugë të rëndësishme për qytetarët e lagjes”, thuhet në njoftim.

Protesta është thirrur që nis në ora 12:00 dhe kanë thënë se do të jetë paqësore, derisa kanë bërë thirrje tek qytetarët e Prishtinës që t’u bashkohen.

“Data e protestës është 14.01.2024, ku pritet të mblidhemi në pikën e mbylljes së rrugës Xhoxh Bush në një shenjë solidariteti dhe thirrje për veprime. Protesta do të fillojë në orën 12:00 dhe do të mbahet në mënyrë paqësore”.

Pankarta e publikuar nga “Vrojtuesit e lagjës – Prishtina”.

“Ju lutemi të bashkoheni në këtë thirrje për hapjen e rrugës dhe për zgjidhjen e problemit të trafikut që ka prekur komunitetin tonë për një kohë të gjatë”, kanë shkruar “Vrojtuesit e Lagjes – Prishtinë”.

Në postierët për protestën shihet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe ka një mbishkrim: “Ne nuk jemi popull dele që pranon të heshtë në prani të sfidave dhe problematikave të kryeqytetit tonë”, duke shprehur kështu frustrimin e tyre ndaj këtij vendimi të të parit të kryeqytetit.

Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë ishte mbyllur para 11 muajve.

Përveç autobusit urban, taksistëve dhe automjeteve që destinacion kanë parkingun nëntokësor, nuk lejohet asnjë automjet tjetër të qarkullojë në këtë drejtim.

Me tabelën e vendosur në udhëkryqin kryesor në afërsi të Katedrales në kryeqytet, vozitësit që vijnë nga drejtimi i lagjes “Dardania”, atyre që lëshohen Mensa e Studentëve dhe të tjerëve që vijnë nga drejtimi i lagjes “Ulpiana”, nuk mund të qarkullojnë në këtë rrugë të shndërruar në shesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore