Lajme

Në Kosovë nuk ka virus të Nilit Perëndimor


Ilustrim.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka njoftuar se në Kosovë nuk ka virus të Nilit Perëndimor, mirëpo ka apeluar për kujdes nga pickimi i mushkonjave.

Kështu ka thënë IKSHPK-ja përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Në Kosovë nuk ka akoma raste të raportuara, por duke pasur parasysh rrezikshmërinë dhe mundësinë e përhapjes se virusit të Nilit Perëndimor, jemi duke vëzhguar situatën epidemiologjike në vendin tonë por edhe të shteteve fqinje”.

Pavarësisht që nuk ka virus nga Instituti është thënë se janë duke vëzhguar situatën epidemiologjike.

“Virusi i Nilit perëndimor mund të shkaktoj sëmundje fatale neurologjike te njerëzit. Megjithëse, përafërsisht 80% e njerëzve që janë të infektuar nuk tregojnë asnjë simptomë. Virusi i Nilit perëndimor transmetohet tek njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave”.

“Virusi mund të shkaktoj sëmundje të rëndë dhe ngordhje tek kuajt. Vaksinat për përdorim tek kuajt janë në dispozicion për përdorim por jo ende në dispozicion për tek njerëzit. Zogjtë janë bartës natyral të virusit të Nilit perëndimor. VNP mund të shkaktoj sëmundje neurologjike dhe vdekje tek njerëzit”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Ilustrim: Pickimi nga virusi i Nilit Perëndimor

Çka është virusi i Nilit të Perëndimit?

VNP zakonisht gjendet në Afrikë, Evropë, Lindjen e Mesme, Amerikën Veriore dhe Azinë Perëndimore por raportohen raste edhe ne Balkan dhe Mediteran. VNP është ruajtur në natyrë nëpërmjet ciklit i cili përfshinë transmetimin në mes zogjve dhe mushkonjave. Njerëzit, kuajt dhe gjitarët tjerë mund të infektohen.

Që nga paraqitja në vitin 1999 në SHBA, virusi është përhapur edhe në Kanada deri në Venezuelë.

Përhapja

Infeksioni tek njerëzit kryesisht është rezultat i pickimit nga mushkonjat e infektuara.

Mushkonjat infektohen pasi ushqehen me gjakun e zogjve të infektuar, të cilat qarkullojnë virusin në gjakun e tyre për disa ditë.

Virusi përfundimisht futet në gjëndrat pështymore të mushkonjave. Gjatë konsumimit të mëvonshëm të gjakut (kur mushkonjat thumbojnë), virusi mund të injektohet në njerëz dhe kafshë, prej ku shumëzohet dhe mund të shkaktoj sëmundje.

Virusi mund të bartet gjithashtu edhe nëpërmjet kontaktit me kafshët tjera të infektuara, nga gjaku apo indet tjera.

Një përqindje shumë e vogël e infeksioneve në njerëz është paraqitur nëpërmjet transplantimit të organeve, transfuzionit të gjakut dhe me qumështin e gjirit. Është i regjistruar vetëm një rast i bartjes së virusit NP prej nënë tek fëmija me rrugë transplacentare.

Deri më sot nuk ka të dokumentuar asnjë rast të bartjes nga njeriu në njëri të VNP nëpërmjet kontaktit të zakonshëm si dhe nuk janë raportuar raste të bartjes së virusit të punëtorët shëndetësor kur janë vendosur masat standarde paraprake  të  kontrollit të infeksionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore