Shqipëria

Në hetim nga Gjermania për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut


Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar pasuritë Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut.

Sipas saj, Dobroshi, shtetas i Republikës së Kosovës, aktualisht po hetohet nga autoritetet gjermane për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i paligjshëm i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të organizuar kriminal”.

Kjo pasi gjatë vitit 2020, ky shtetas së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë, nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani.

Gjithashtu nga burime të hapura, siç janë mediat online, si dhe informacioneve të partnerëve, rezultonte se Princ Dobroshi në vitin 1993, ishte kapur, dhe më pas ishte dënuar në Norvegji me 14 vjet burg për trafikim të heroinës.

Nga ana tjetër, Olsi Syziu, shtetas i Shqipërisë, aktualisht po hetohet nga autoritetet ligjzbatuese të Gjermanisë, për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike të një sasie të konsiderueshme”, si pjesëtar i një bande.

Ai gjatë vitit 2020 dhe më pas, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani, si dhe ka shpërndarë lëndë narkotike  në Gjermani.

Subjektet e hetimit pasuror kanë lidhje krushqie me njëri tjetrin, pasi Princ Dobroshi ka për grua motrën e Olsi Syziut.

Nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë bërë hetime në lidhje me pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme prej tyre si dhe personave të lidhur me ta.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjekteve nën hetim pasuror Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu, si dhe të personave të lidhur me ta.

Në zbatim të urdhri, janë sekuestruar pasuritë e poshtëshënuara:

1.   Dhjetë llogari bankare me gjendje në total rreth 133 000 (njëqind e tridhjetë e tre mijë) Euro;

2.   Pasuria e paluajtshme e llojit godinë banimi, me adresë, “Gjiri i Lalzit”, Draç, Durrës, me sipërfaqe: kati përdhe 92 m², kati i parë 97 m², kati i dytë 55 m² + verandë me sipërfaqe 42 m² dhe sipërfaqe e përbashkët 576 m², në pronësi të shtetases S.R;

3.  Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe 61.38 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

4.  Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 95.96 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

5.  Pasuria e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 198.4 m2 banim, dhe dy poste parkimi, me sipërfaqe totale 234.1 m2 me adresë “Liqeni i Thatë”, Tiranë;

6.  Pasuria e luajtshme automjet i markës “Volvo”, modeli “XC 60”, viti i prodhimit 2015, ngjyrë e zezë, në pronësi të shtetases A.S.

7.  Shoqëria tregtare “SLAI”, me numër identifikimi tatimor (NIPT): M18330301H, me adresë në qytetin e Lezhës, si dhe me ortak të vetëm shtetasin Olsi Syziu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore