Shqipëria

Në garë me “veten”, pas 500 ditësh


Kanë kaluar 495 ditë qëkurse Lulzim Basha do të jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.

Humbja në zgjedhje e 6 marsit do të rezultonte fatale për pozitat e tij në krye të selisë blu dhe dy javë më pas do të zyrtarizonte “hapin mbrapa”.

“Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë. Për këtë arsye dhe për të ndihmuar PD-në dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD-së”.

Tanimë duket thjesht çështje orësh nga rikthimi i Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike.

Me zgjedhjet brenda forcës së djathtë politike, të cilat po mbahen të shtunën e 29 korrikut përballë një kundërshtari modest, trokitja e Bashës në derën e PD-së zyrtare, por të selisë dytësore teknikisht, nuk ka nevojë as të ketë përgjigje për të hapur derën – ajo tashmë është e ç’kyçur.

Përgatisni titujt: Lulzim Basha rikthehet në krye të Partisë Demokratike

Kandidati Gjergj Hani votoi i pari në orën 10.00 tek zyrat qendrore të PD-së, ndërsa Lulzim Basha votoi në orën 11.00 pranë zyrave të degës 8 në Tiranë.

71 qendra votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 19:00, ndërsa anëtarët që do të votojnë duhet të paraqesin kartën e identitetit dhe kartën e anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Numri i anëtarëve që priten t’u drejtohen sot kutive të votimit është reduktuar në më pak se 1/3 krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2021 në selinë blu, nga rreth 75 mijë anëtarë demokratë, në 25 mijë.

Përplasjet

Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat deklaronte se nuk do tërhiqej dhe do të mblidhte online Këshillin Kombëtar.

Kjo, pavarësisht se Kryesia ka kërkuar anulimin e mbledhjes dhe e ka çuar Bardhin në Komisionin e Etikës.

“Në cilësinë si sekretar kam njoftuar thirrjen e mbledhjes së këshillit kombëtar. Menjëherë sapo është bërë publik ky njoftim afër mesnatës jam njohur me një deklaratë që dilte në emër të kryesisë, që ngjante me një fletërrufe të Byrosë politike që shpallet armik dhe baltoste sekretarin e përgjithshëm të partisë vetëm se kishte zbatuar statutin”.

Ai theksoi se “reduktimi i 50 mijë anëtarëve që nuk mendojnë ashtu siç do ish-kryedemokrati Lulzim Basha, është një lëvizje që ne e kemi parë mjaft mirë, 1 vit e gjysmë më parë nga Sali Berisha”.

“Është një hall i Bashës, që po e detyron të hedhë në erë Partinë Demokratike, tashmë të shndërruar në një parti popullore që ka humbur objektivin dhe identitetin si parti me besime euroatlantike”.

Votimet

Më herët, kryetari i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Jemin Gjana i bëri thirrje anëtarësisë së kësaj force politike që të votojnë të shtunën për zgjedhjen e kryedemokratit të ri.

“Ftesa ime për të gjithë demokratët është t’i bashkëngjiten procesit të votimit. Ftesa është e hapur, legale, statutore, jo vetëm për ata që janë pjesë e listave të miratuara, por ftesa është e hapur për të gjithë demokratët që disponojnë dokumentet e anëtarësimit në PD, të cilët me teserën e PD-së nuk kanë punuar për partitë e tjera politike”, deklaroi fillimisht ai.

Sipas Gjanës, grupimi i ashtuquajtur i “Rithemelimit” nuk mund të bëhet pjesë, por gjithë pjesa tjetër e demokratëve është e ftuar t’i bashkohet nesër procesit.

“Zhvillimet janë të forta, të bujshme, muajt e sotme janë të nxehtë, por muajt e vjeshtës s’do jenë akoma më të nxehtë. Duke e mbyllur këtë komunikim para hapjes së kutive të votimit, i ftoj të gjithë demokratët të bëhen pjesë e këtij votimi legjitim për garën për kreun e PD”, ravijëzoi Gjana.

Pse duhet të rikthehet Lulzim Basha edhe një herë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore