Lajme

Në Francë 90% e përmbajtjeve pornografike në internet janë abuzuese ndaj grave


Rreth 90 për qind e përmbajtjeve pornografike në internet paraqesin dhunë verbale, fizike dhe seksuale ndaj grave.

Dhe një sasi e konsiderueshme e dhunës e shfaqur është e dënueshme sipas ligjeve ekzistuese në Francë.

Kështu ka zbuluar një raport nga mbikëqyrësi i barazisë i emëruar nga qeveria.

Këshilli i Lartë i Francës për barazinë midis grave dhe burrave i ka dorëzuar qeverisë një raport dënues mbi praktikat e paligjshme të industrisë pornografike, duke kërkuar ndryshime në ligj për të ndjekur penalisht krijuesit e pornografisë dhe për të hequr përmbajtjen në mënyrë që të mbrohen ata që janë filmuar.

Pas më shumë se 18 muajsh dëgjimesh dhe rishikimi të miliona videove në faqet më të mëdha ndërkombëtare të pornografisë, raporti ka zbuluar se në miliona video, “gratë, të karikaturuara me stereotipet më të këqija seksiste dhe raciste, poshtërohen, objektivizohen, dehumanizohen, sulmohen, torturohen, i nënshtrohen një trajtimi në kundërshtim me dinjitetin njerëzor dhe me ligjin francez”.

Sipas raportit, “gratë janë reale, aktet seksuale dhe dhuna janë reale, vuajtja është shpesh krejtësisht e dukshme dhe në të njëjtën kohë erotizohet”.

Po ashtu raporti ka cituar pikëpamjen e vetë prokurorit të shtetit francez se shumica dërrmuese e pornografisë përmbante dhunë verbale dhe fizike që binte ndesh me ligjin francez.

Sakaq, një sasi e konsiderueshme e përmbajtjes është zbuluar se përmban torturë.

Raporti dënon “mosveprimin” e shtetit dhe autoriteteve franceze përballë dekadave të lobimit nga industria e pornografisë, e cila argumentonte për lirinë e shprehjes.

Sipas tij, duhet t’i jepet fund “verbërisë dhe mohimit” nga shteti, i cili i kishte dhënë industrisë së pornografisë “mosndëshkim total”.

Shifrat nga Arcom, rregullatori audioviziv në Francë, tregojnë se 51 për qind e djemve 12-vjeçarë në Francë kanë parë pornografi.

“Konsumimi masiv i pornografisë që në moshë të re përforcon kulturën e përdhunimit”, thuhet në raport.

Platforma shtetërore franceze, Pharos, e krijuar për të ndaluar përmbajtjen e paligjshme në internet, nuk po funksionon në mënyrë adekuate në lidhje me dhunën seksuale dhe duhet të zgjerohet për të mbuluar sulmet ndaj grave në pornografi, thuhet në raport.

Disa raste kundër prodhuesve të pornografisë po hetohen nga gjykatësit në Francë.

“Për disa dhjetëra viktima, zëri i të cilave dëgjohet nga sistemi i drejtësisë, ka miliona video të publikuara pa kontroll, të cilat përparojnë në dhunën dhe urrejtjen mizogjene, deri në indiferencë të përgjithshme”, thuhet në raport.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore