Lajme

Në fillim të shtatorit takimi i ardhshëm Kosovë – Serbi


Takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel më 19 korrik

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se kanë nisur përgatitjet për takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh në fillim të muajit shtator.

Në një postim në Twitter, Lajçaku ka bërë të ditur se për përgatitjet për takimin e ardhshëm ka biseduar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Ndërkaq, takimi i fundit midis Kurtit dhe Vuçiç në kaudër të dialogut Kosovë-Serbi, është mabjtur më 19 korrik të vitit 2021.

Kurti pas takimit pati thënë se i kishte propozuar Vuçiç-it një marrëveshje të paqes, por u refuzua pa u lexuar.  Ndërkaq Vuçiç theksonte se dakordimi mes dy palëve ka qenë i pamundur të hënën e 19 korrikut.

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, si një deklaratë e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Atë që kisha kërkuar herën e kaluar, që të kemi një deklaratë të paqes, e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një tekst me 6 nene, por u refuzua ende pa u lexuar”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, diçka e tillë “ka treguar një mosgatishmëri për marrëveshjen, meqenëse u refuzua pa u lexuar”.

Pas takimit Vuçiç ka thënë nga ana tjetër se dakordimi mes dy palëve ka qenë i pamundur.

Duke iu referuar kryeministrit Kurti, ka thënë se ky i fundit e ka akuzuar Serbinë për tri gjenocide ndaj shqiptarëve.

“Ishin tri pika: Të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga gjërat që mund të eskalojnë situatën dhe që dialoguesit të takohen rregullisht. Qëndrimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocide ndaj shqiptarëve në Kosovë. Gjithçka po sillet rreth shtyrjes së Serbisë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte thënë se atmosfera në takimin e së hënës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte “e tensionuar”.

“Takimi ishte i vështirë dhe tregoi qasje shumë të ndryshme ndaj normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë, sot kemi bërë shumë pak përparim. Janë diskutuar disa propozime konkrete, por rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”, pati thënë Lajçak pas takimit për REL.

Ai pati konfirmuar se ekipet negociuese do të takohen në fund të gushtit dhe se takimi i ardhshëm i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet në shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore