Shqipëria

Në buxhetin e vitit 2023 çmimi i energjisë nuk do të rritet, thotë Ibrahimaj


Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë, ka thënë se me buxhetin e vitit 2023 parashikohet një ngadalësim i rritjes ekonomike dhe ulje e normës së inflacionit.

Ajo ka thënë se ndikimet ekonomike në vend varen nga lufta në Ukrainë dhe nga situata në ekonomitë botërore.

“Parashikojmë që ekonomia të rritet me 2.6 për qind. Parashikojmë që norma e inflacionit të bjerë në nivelin 3.6 për qind nga niveli që është sot”, ka sqaruar Ibrahimaj.

Sipas saj, buxheti parashikon konsolidim fiskal, reduktim të borxhit.

“Kjo qeveri ka treguar se vullnetin për të reduktuar borxhin ndaj GTP-së e ka dhe e ka të qëndrueshëm. Ne kemi reduktuar borxhin në vitin 2019. Ne nuk e kishim menaxhuar borxhin që qeveria paraardhëse kishte lënë”, ka vijuar ajo.

Ministrja ka treguar po ashtu se objektivi kryesor për vitin 2023  është garantimi i furnizimit me energji për qytetarët.

“Objektivi kryesor i buxhetit të vitit 2023 është që ne do të garantojmë furnizimin me energjinë elektrik dhe nuk do të rrisim çmimin duke mbajtur peshën e ruajtjes së këtij çmimi brenda buxhetit të shtetit”, ka theksuar Ibrahimaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore