Lajme

“Në Ballkan s’do ketë paqe derisa të largohen partitë e luftës nga pushteti”


Gjenerali në pension dhe analisti gjeopolitik, Blagoje Grahovac, ka thënë se “nuk do të ketë paqe në Ballkan derisa të largohen partitë e luftës në vendet e krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë”.

Këto komente ai i bëri në një prononcim për median malazeze “Vijesti”, teksa komentoi sulmin terrorist mbi Policinë e Kosovës dhe impaktin që mund ta ketë kjo krizë në Mal të Zi.

“Unë i këshilloj qytetarët, largoni partitë e luftës nga pushteti. Kjo është garancia e vetme që paqja do të mbizotërojë në këto zona”, ka thënë Grahovac.

Blagoje Grahovac

Ish-gjenerali vlerësoi se ngjarja në Kosovë mund të ketë efekt shumë udhëzues për Malin e Zi, për arsye se “subjektet politike dhe shoqërore më në fund mund të hyjnë në fazën e përkujtimit”.

Ai theksoi se në mesin e udhëheqësve kryesorë në Serbi janë njerëz që kanë vite “që po bëjnë klerofashizmin” e atij vendi, nga i cili “nuk mund të lindte asgjë tjetër veçse të keqes”.

“Dhe veriu i Kosovës dhe Lista Serbe u shërbeu si pikë për ta përhapur më tej të keqen. Sigurisht që ka mundur të lindë një e keqe më e gjerë, sepse nga një organizatë kriminale, dhe Listën Serbe e konsideroj organizatë kriminale, kur lidhet me qëllime politike që vijnë nga Beogradi dhe përdoren armë, atëherë nuk është gjë tjetër veçse terrorizëm”.

Në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, të dielën e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, një polic mbeti i vrarë.

Autoritetet e Kosovës e kanë fajësuar drejtpërdrejtë Serbinë se ka qenë organizatore dhe financuese e këtij sulmi.

Nga ana tjetër Serbia, jo vetëm që nuk e dënoi sulmin terrorist, por shpalli ditë zie kombëtare për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, shteti serb dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar sulmin terrorist, teksa kanë kërkuar që urgjentisht Beogradi zyrtar të zvogëlojë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore