Lajme

Në 24 orët e fundit, mbi 300 persona kërkuan ndihmë mjekësore në Deçan


Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan

Gjatë 24 orëve të fundit, në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore edhe 310 persona, pasi kanë pasur simptoma të helmimit.

Në një konferencë për media, drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha, ka thënë se që nga data 10 deri më 14 korrik janë gjithsejtë 1 mijë e 62 pacientë.

“Në 24 orët e fundit janë gjithsejtë 310 pacientë me simptomatologji të njëjtë siç kanë qenë ditëve përpara, ndërsa që nga data 10 deri me 14 janë gjithsej 1 mijë e 62 pacientë. Prej orës 07:00 deri në 11:00, janë 55 pacientë”, tha Berisha.

Që nga fundjava e kaluar, banorët e Komunës së Deçanit kanë shfaqur simptoma të helmimit, siç janë marramendje, të vjella, diarre etj.

Të martën, Komuna e Deçanit në Kosovë ka shpallur gjendje emergjente në gjithë territorin e Komunës së Deçanit, pas qindra rasteve të qytetarëve që janë helmuar nga uji i pijshëm.

Në vendimin që ka marrë kjo komunë thuhet se “obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente të ndodhur pas helmimit të fundit”.

Gjatë ditës së martë, udhëheqësit e institucioneve që kanë vizituar pacientët e shtrirë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, kanë bërë thirrje për hetim sa më të shpejtë të këtij rasti të ndodhur pas helmimit të fundit.

Po të njëjtën ditë, ujësjellësi “Hidrodrini”, njoftoi qytetarët që furnizohen me ujë nga ky ujësjellës rajonal, se uji ishte i sigurt.

“Informatat dhe gjendja e paqartë me fshatrat e Deçanit janë shqetësim i lokalizuar në vete dhe, siç dihet, të gjithë mekanizmat janë në funksion të zgjidhjes së situatës atje, në shërbim të përmirësimit të shëndetit të qytetarëve”, tha përmes një komunikate për media ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”.

“Hidrodrini”, përveç Deçanit, furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun.

Ndërkaq, institucionet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore