Shqipëria

Ndryshojnë ‘balancat’ e PD-së, dy deputetë bëhen ‘pishman’ për platformën e Alibeajt


“Platforma e Alibeajt” ripozicionoi dhe një herë deputetët e Partisë Demokratike.

Në prezantimin e saj, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj lexoi 32 emrat e deputetëve që e mbështesin, pra shumica e grupit.

Por, gjatë ditës ndodhën ndryshime “surprizë”.

Bëhet fjalë për deputetin e PD-së, Xhelal Mziu i cili fillimisht ishte përkrah Alibeaj, duke e cilësuar platformën si alternativën e vetme.

“I bashkohem listës së deputetëve dhe mbështes këtë platformë si rruga e duhur për çdo demokratë dhe shqiptarë, për një Shqipëri Evropiane nesër!”, shkruante Mziu.

Mirëpo, gjatë pasdites duket se ndryshon mendje duke fshirë postimin në median e tij sociale.

Ai pozicionohet krah Berishës. Ishte drejtoresha e Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo e cila shpërndau mesazhin e ri të Mziut.

Ndërsa, emri tjetër që heq dorë është deputetja Greta Bardeli.

“Drafti dhe çdo propozim tjetër gjykoj që duhet diskutuar dhe debatuar në mbledhjen e gjithë deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit pa asnjë përjashtim duke garantuar transparencë të plotē!”, shkruante ajo.

Postimi u shpërnda përsëri nga Garo, duke e lënë të paqartë pozicionimin e Bardelit.

Tashmë, raportet kanë ndryshuar.

30 qëndrojnë pro platformës, 16 pro Berishës, ndërsa gjashtë janë të papozicionuar.

Mes emrave që nuk përkrahin platformën janë dhe katër emra që dikur kanë qenë besnik të Bashës: Ervin Salianji, Grida Duma, Ina Zhupa dhe Kasëm Mahmutaj.

Përmes një postimi, deputeti Ervin Salianji ka dalë kundër kësaj platforme, pasi sipas tij kjo platformë i mbyll rrugën çdo diskutimi dhe i mbyllet dera çdo zëri racional për të bashkuar demokratët.

“Çdo deklaratë e njëanshme pa marrë as dakordësinë për publikim të shumë prej kolegëve e përçan dhe ndan Partinë Demokratike, përforcon idenë që ka llogore dhe i fryn ndasive që ekzistojnë! Dokumenti i paraqitur është tërësisht i ndryshëm nga ai që personalisht mu paraqit dje 5 minuta para konferencës së anuluar për shtyp!”, shkruan ai.

Në platformë, Grupi Parlamentar i PD-së apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit dhe përçarjes.

Ndërsa pesë pikat e tjera lidhen me rikthimin në grup të deputetëve të përjashtuar apo pezulluar në 12 janarit 2022.

“Anulohet çdo proces i njëanshëm riorganizimi apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë. Grupi Parlamentar ngre një grup pune të përbashkët për realizimin e bashkimit të partisë. Grupi i Përbashkët përcakton strukturat zbatuese të planit të bashkimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore