Lajme

“Ndihemi të braktisur, si qengjat para therjes”: Porfirije refuzon t’u përgjigjet serbëve të Kosovës, ata i shkruajnë një tjetër letër


Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe - Porfirije

Përfaqësuesit e tri organizatave të serbëve të Kosovës, për herë të dytë brenda më pak se dy javë, kanë nisur një letër në adresën e Patriarkut Porfirije, pasi siç pretendojnë ata, nuk kanë marrë asnjë përgjigje, madje “as negative” nga kreu i Kishës Ortodokse Serbe.

“Ju lutemi kuptoni shqetësimin tonë më të thellë për të ardhmen e vendit tonë, kishës sonë, si dhe neve dhe familjeve tona në Kosovë”, kanë shkruar përfaqësuesit e tri organizatave të serbëve të Kosovës, transmeton portali në gjuhën serbe KoSSev.

“Kombi ynë po zhduket para syve tanë. Në 10 vitet e fundit nga Kosova janë larguar afër 40 mijë serbë. Ne disa herë e kemi njoftuar shtetin, i kemi ofruar propozime. Nuk ka pasur përgjigje ose përgjigja ka qenë refuzuese. Fjalë për fjalë, autoritetet e Serbisë promovuan disfatën, apatinë dhe agoninë e popullit tonë”, thuhet në letër.

Në këtë letër, ata thonë se populli serb në Kosovë “ndihet i braktisur, si qengjat para therjes”, ndërsa kanë pretenduar se “në Kosovë, pafuqia dhe dorëzimi mbizotëron gjithnjë e më shumë”.

“Është koha për të qenë apo për të mos qenë për popullin tonë, pra jo koha e politikës, por e luftës kombëtare për mbijetesë kombëtare. Populli serb bëhet indiferent, si një qengj para therjes dhe i përgatitur të heshtë për vendimet dhe zgjidhjet tragjike”, thuhet në letër.

Ata deklarojnë se “në strukturën shtetërore” nuk kanë kujt t’i drejtohen dhe se janë “të refuzuar nga shteti, të lënë në mëshirën e autoriteteve kosovaro-shqiptare dhe politikanëve të korruptuar serbë”.

Kujtojmë se Patriarku serb Porfirije në muajin tetor është fronëzuar në Patriarkanën e Pejës, ku në fjalimin e tij iu bëri thirrje “vëllezërve shqiptarë” dhe popullit serb që të luten për paqe, mirëpo, është fokusuar prej kohësh në promovimin dhe zbatimin e ideologjisë nacionaliste të “Serbisë së Madhe” në aktivitetet e saj publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore