Lajme

Ndërron jetë ylli i “Gangsta’s Paradise” në moshën 59-vjeçare


Një ndër emrat më të mëdhenj të hip-hop-it gjatë viteve 1990, Coolio, ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare.

Menaxherja e tij Sheila Finegan ka konfirmuar se reperi i njohur ka ndërruar jetë të mërkurën e 28 shtatorit në shtëpinë e një miku të tij në Los Angeles.

Ndërkohë, shkaku i vdekjes së artistit mbetet i panjohur.

I lindur në Monessen, më 1 gusht 1963, reperi u rrit në Compton, Kaliforni, dhe shërbeu si zjarrfikës vullnetar përpara se të kalonte në një karrierë muzikore me kohë të plotë.

Puna e tij me një ekuipazh zjarrfikës në zonën e San Jose ishte “një mënyrë për t’u pastruar”, ka thënë ai në vitin 1994.

“Në trajnimin e zjarrfikësve më duhej disiplina. Ne vraponim çdo ditë. Nuk pija, nuk pija duhan ose nuk bëja gjërat që bëja zakonisht”, ka treguar Coolio.

Kënga e tij numër 1, “Gangsta’s Paradise”, u shfaq në filmin “Dangerous Minds” të vitit 1995, me Michelle Pfeiffer. Kënga përfundimisht do t’i jepte Coolio-s një Grammy në vitin 1996.

Po ashtu do ta katapultonte atë në rangun më të lartë të hip-hop-it.

“Ky është një lajm i trishtë”, ka thënë reperi Ice Cube në Twitter për lajmin e vdekjes së tij. “Unë jam dëshmitar i dorës së parë që ky njeri ka arritur në krye të industrisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore