Lajme

Ndërron jetë shkruesi i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, Shqyri Nimani


Shyqri Nimani.

Ka ndërruar jetë shkruesi i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, akademiku dhe artisti Shqyri Nimani, të enjten e 22 qershorit.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në seancën e së enjtes.

Konjufca, në seancën e ka vlerësuar atë si “mjeshtër të arteve të bukura”.

“Ishte njëri ndër emrat më kulmore të artit në vendin tonë i cili pas tij la një karrierë të bujshme dhe me gjurmë të thella artistike, me shumë vepra të tij të cilat i gjejmë nga simbolet e Kosova filmit e deri tek Universiteti i Prishtinës. Ai veproi për dekada të tëra, shkronjat e tij të arta mund t’i gjeni edhe në deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Më 17 shkurt të 2022, Albanian Post kishte realizuar një intervistë më Shqyri Nimanin për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Ai kishte treguar se si me datën 16 shkurt të vitit 2008, për 16 orë kaligrafisti Shyqri Nimani, kishte punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, për tërë këto orë ai kishte pirë vetëm ujë.

Nimani, ka treguar për ethet që i ka sjellë ky dokument, frikën që nuk do të arrinte ta përfundonte punën e kërkuar.

Por, për tërë këtë punë stresuese, Nimani nuk ishte paguar asnjëherë nga shteti.

Ndërsa, për të puna do të mund të bëhej akoma më mirë.

“Sot e kësaj dite kur paramendoj atë moment kur më kanë thënë, unë kurgjo tjetër nuk kam menduar, por vetëm kam menduar se si është e mundur që dy pergamena të mëdhaja në formatin B2 t’i kompensoj me mijëra shkronja për 16 orë. Megjithatë, këtë kam arritur ta kryej 15 minuta para orës 15:00”, kishte deklaruar Nimani.

Para një viti, ai botoi edhe librin e tij “78 ditë bombardime të NATO-s”.

Përveç që ishte shkrues i deklaratës së pavarësisë, Nimani ishte edhe profesor ordinar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës.

Në vitet 1979 – 1989 ka qenë drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës kurse dekan i Fakultetit të Arteve ka qenë nga viti 1991 – 1994.

Ka botuar monografi për artin mesjetar dhe bashkëkohor shqiptar e po ashtu ka përkthyer edhe libra nga gjuhë të huaja.

Nimani, ndërroi jetë në moshën 82-vjecare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore