Stil

Ndërron jetë në moshën 87-vjeçare Franca Fendi, trashëgimtarja e shtëpisë italiane të modës


Franca Fendi ka ndërruar jetë në Romë në moshën 87-vjeçare.

Ajo ishte një nga pesë motrat që trashëguan një punëtori të vogël romake të artikujve prej lëkure dhe së bashku e shndërruan atë në një shtëpi luksoze mode.

E lindur në vitin 1935, ajo mori pjesë që në moshë të re në menaxhimin e kompanisë që nga vitet 1960 e tutje.

Nën drejtimin e motrave, ajo u bë një markë globale e famshme për ri-imagjinimin e palltos klasike të leshit.

Prindërit e saj, Edoardo dhe Adele Fendi, e kishin themeluar shtëpinë e modës në vitin 1952, duke filluar nga një dyqan i vogël çantash dhe gëzofi në Via del Plebiscito.

Motrat Fendi – Paola, Anna, Franca, Carla dhe Alda – më vonë zbuluan se shpesh detyroheshin të flinin në dyqan për shkak të orëve të gjata të punës së prindërve të tyre.

Edoardo ua la kontrollin e markës vajzave të tij, Franca u bë menaxhere e blerjeve. Në vitin 1965 ajo dhe motrat e saj sollën Karl Lagerfeld, atëherë një stilist i ri, me qëllimin për të krijuar një linjë të veshjeve për femra.

Drejtori kreativ gjerman mund të ketë qenë më i njohur për punën e tij në Chanel, por ishte Fendi që ai i kushtoi 54 vjet nga jeta e tij e punës duke u bërë ajo që motrat Fendi e përshkruan si një ndër anëtare e familjes.

Lagerfeld, i cili vdiq në vitin 2019, i krahasonte motrat Fendi me pesë gishtat e dorës: “Të pandashme, të ndërlidhura dhe gjithmonë duke vepruar në unison”.

“Pesë motrat Fendi ishin të parat që hynë në zyrë dhe të fundit që fikën dritën”, ka thënë më parë Silvia Venturini Fendi, vajza e Anna-s dhe mbesa e Franca-s.

Po ashtu drejtoresha krijuese e aksesorëve dhe veshjeve për meshkuj dhe fëmijë të markës.

“Asokohe, nuk kishte qilima të kuq dhe nuk kishte dukshmëri. Gjithçka u bë për pasion. Nëna dhe tezja ime i përgatitnin koleksionet natën, ndërsa zyrat ishin të mbyllura. Atelieja ishte një vend energjie, takimesh dhe diskutimesh”, ka treguar ajo.

Në vitin 2001, motrat i shitën një aksion kontrollues grupit francez të luksit LVMH.

Pavarësisht kësaj, Carla Fendi mbeti presidente nderi deri në vdekjen e saj në vitin 2017. Pas vdekjes së Lagerfeld, Kim Jones u emërua drejtoreshë artistike e koleksioneve të modës së lartë dhe veshjeve për femra, ndërsa qëndroi si drejtore artistike e Dior Men.

Vajza e Silvia-s, Delfina Delettrez Fendi është drejtoreshë kreative e bizhuterive.

Në shtator, shtëpia festoi 25 vjetorin e çantës baguette me një ngjarje të mbushur me yje në javën e modës në New York.

Dy javë më vonë, ajo organizoi një shfaqje të dytë të sezonit në Milano.

Ndryshe nga konglomeratet e tjera luksoze, Fendi nën LVMH vazhdon të përdorë lesh të vërtetë.

Franca kishte katër fëmijë dhe ishte e martuar me Luigi Formilli.

Në vitin 2018, ajo shkroi një libër kushtuar bashkëshortit të saj me titull “Ti je me mua”. Në libër, ajo detajon dashurinë për të, i cili vdiq në vitin 2001, dhe lindjen e shtëpisë së modës Fendi.

Në një pasazh, ajo shkruan: “Secili prej nesh kishte një fushë pune në të cilën shprehte krijimtarinë. Kjo do të thoshte se kompania ishte e larmishme, por gjithmonë e orientuar drejt një qëllimi të përbashkët: dëshira e përzier me një pasion për të sjellë në botë markën Made in Italy”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore