Shqipëria

Ndalohen në Kakavijë 3 izraelitë dhe 1 kroat për trafikim të lëndëve narkotike


Katër shtetas të huaj janë vënë në pranga në Kakavijë këtë të premte të 8 shtatorit, të cilëve iu është gjetur lëndë narkotike cannabis sativa.

Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Kakavijë, në bashkëpunim me autoritetet doganore, kanë vijuar kontrollet me përzgjedhje dhe ato të bazuara në informacionet e inteligjencës policore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Bëhet me dije se nga kontrollet janë goditur dy raste të tjera të tentativës për të trafikuar cannabis sativa.

Sipas policisë, janë arrestuar në flagrancë shtetasit S. H., 25 vjeç, banues në Zvicër; I. D., 23 vjeç, banues në Izrael dhe R. A., 23 vjeç, banues në Izrael.

Ata janë arrestuar pasi gjatë kontrolleve në vijë të dytë, fizike dhe në automjetin me të cilin lëviznin, u gjet lëndë narkotike cannabis sativa, në formë çokollate dhe dy peshore elektronike.

Po ashtu në pranga ka rënë edhe D. P., 24 vjeç, banues në Kroaci, pasi gjatë kontrolleve në vijë të dytë, fizike dhe në automjetin që drejtonte, u gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Lënda narkotike e të dyja rasteve, dy peshoret elektronike, dy automjetet dhe celularët e të arrestuarve u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore