Lajme

Ndalimi i udhëtarëve nga Serbia, Osmani: Vuçiç është përgjegjës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në pikëkalimet kufitare të Serbisë që nga orët e mbrëmjes të së martës, duke thënë se përgjegjës për këtë është presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Këto komente, Osmani i ka bërë përmes një postimi në platformën X, duke e konsideruar këtë veprim si hakmarrje të shtetit serb pas votimit të së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve, një ditë pas votimit të Këshillit të Evropës në APKE, duke mbajtur peng shumë në pikat kufitare, duke i frikësuar, konfiskuar dokumente dhe duke i privuar nga ushqimi. Një njeri është përgjegjës për këtë: Vuçiç”, ka shkruar e para vendit.

Presidentja theksoi se ashtu siç ka bërë gjatë gjithë ditës, “u bëj thirrje partnerëve tanë për veprim të shpejtë”.

Ndryshe, pasi që autoritetet e Serbisë kanë ndalur udhëtarët dhe autobusët nga Kosova, Bashkimi Evropian ka thënë se janë duke e ndjekur situatën nga afër, derisa kanë theksuar se shteti serb është duke e shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Këto komente, në emër të BE-së, i ka bërë zëdhënësi i Unionit, Peter Stano, në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë”, duke folur për situatën e krijuar nga Serbia, një ditë pasi që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, deklaroi Stano.

Ai ka potencuar se Unioni e “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes”.

“Presim nga palët që në tërësi të zbatojnë detyrimet e tyre nga dialogu, të cilat janë obliguese dhe të vlefshme. Ne, po ashtu, presim nga palët që të sigurojnë një ambient të përshtatshëm për dialog në mënyrë që të shmanget çfarëdo veprimi i cili mund të rrezikoj sigurinë dhe stabilitetin“, shtoi.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në pikëkalimet kufitare të Serbisë që nga orët e mbrëmjes të së martës.

Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ka thënë se Serbia po mundohet të gjejë forma për t’u hakmarrë pas votimit në favor të Kosovës në Këshill të Evropës.

“Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ka thënë se për këtë situatë e ka informuar të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Mbi këtë situatë, kam informuar dhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja e Serbisë dhe hipokrizia e tyre ndaj të drejtave të njeriut, të cilat vijnë nga një vend që është aktualisht anëtar i Këshillit të Evropës. Ky akt dëshmon përsëri uljen e tyre në demokraci dhe politikat e tyre të vazhdueshme të agresionit”, ka shkruar Bislimi në rrjetin social ‘X’.

Bislimi, ka shtuar se përballë veprimeve të tilla s’do të dorëzohen.

“Kosova është një shtet i pavarur, sovran e demokratik. Ne nuk do të dorëzohemi përballë akteve bullizuese të Serbisë e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe normalizimit. Siç edhe Vulin ja ka qëlluar: Serbia nuk përket në Këshillin e Evropës dhe BE”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.

“MPJD dhe MPB janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, thuhet në njoftim.

Paraprakisht, Fatmir Haxholli, sekretar i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” tha se mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi në pikëkalimin kufitar me Kroacinë, derisa shtoi se kjo lëvizje absurde e autoriteteve serbe erdhi në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit në favor të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Haxholli njoftoi ndër të tjera se autoritetet serbe ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit qytetarëve kosovarë, ndërsa e cilësoi shkelje flagrante të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi për lirinë e lëvizjes dhe njohjen e ndërsjellë të dokumentacioneve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore