Lajme

Qeveria e Kosovës: Evitoni me çdo kusht kalimin nëpër Serbi


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.

“MPJD dhe MPB janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, thuhet në njoftim.

Paraprakisht, Fatmir Haxholli, sekretar i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” tha se mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi në pikëkalimin kufitar me Kroacinë, derisa shtoi se kjo lëvizje absurde e autoriteteve serbe erdhi në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit në favor të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë në pikëkalimin Serbi – Kroaci nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Haxholli njoftoi ndër të tjera se autoritetet serbe ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit qytetarëve kosovarë, ndërsa e cilësoi shkelje flagrante të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi për lirinë e lëvizjes dhe njohjen e ndërsjellë të dokumentacioneve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Serbia bllokon rreth 300 kosovarë: “Hakmarrje ndaj votimit pro Kosovës në Këshillin e Evropës”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore