Lajme

Ndalesa e shamisë në një shkollë në Gjakovë, kërkohet ndryshim i Udhëzimit Administrativ të MASHT


Ndalesat në derën hyrëse të shkollës “Nexhmedin Nixha”, në Gjakovë

Në Shkollën e Mesme Teknike në qytetin e Gjakovës, nuk lejohet të hyhet brenda me pantallona të shqyer e me mbulesë në kokë që përdoret nga femrat myslimane.

Ndër gjërat e tjera që ndalohen, sipas tabelës së vendosur në hyrje të shkollës, janë edhe grimi e cigarja.

Për ndalesën e mbulesës, ose shamisë siç njihet në zhargonin fetar islam, ka reaguar deputetja e Kosovës Duda Balje.

Ndalesat në derën hyrëse të shkollës “Nexhmedin Nixha”, në Gjakovë

“Nuk e di se, në bazë të cilës Kushtetutë apo ligji keni vendosur simbolet ndaluese?!!!”, ka shkruar Balje në llogarinë e saj në Facebook.

“Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetarë dhe Republikën tonë, pa përjashtuar edhe besimet fetar”.

“Unë nuk mund të jam indiferent dhe gjithashtu kërkojë një sqarim edhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës z. A. Gjini. Krahasimi i një arme që vretë, me atë të një vajze me shami, për mua është vrasje e të drejtës së besimit të sajë!”, ka përfunduar Balje.

Duda Balje, Deputete e Kuvendit të Republikë së Kosovës

Deputetes i është përgjigjur vetë Drejtoresha e shkollës “Nexhmedin Nixha”, Florentina Gjergjaj, duke e cilësuar reagimin e saj paragjykuese, tendencioze dhe linçuese.

“Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi”.

“Dhe asnjë fushatë e ulet, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime”, ka shkruar drejtoresha në një postim në Facebook.

“Andaj, iu ftoj që të mos humbeni kohë duke nxitur urrejtje e përçarje ndaj meje, por kryeni punën tuaj si Deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nëse e konsideroni problematike këtë çështje ndërrojeni udhëzimin administrativ. Të cilin unë natyrisht se do ta respektoj dhe përmbush në përpikëri, sikur çdo ligj dhe udhëzim administrativ tjetër që e respektoj maksimalisht gjatë punës sime”, u shpreh tutje ajo.

“Pra ju mund të manipuloni për llogari e vota tuaja, të më sulmoni, mund të nxiteni çfarëdolloj fushate të dhunës e urrejtës ndaj meje, sikur se tashmë e shkaktuat me linçimin tuaj publik ndaj meje, por duhet ta kuptoni një gjë elementare: Thjesht po e respektoj dhe do ta respektoj udhëzimin administrativ të MASHT-it 06/2014, deri sa i njëjti të jetë në fuqi”.

“Ndërsa ju, e nderuara deputete e Kuvendit të Kosovës, si kryesuese e Komisionit për të Drejtat e Njeriut e Barazi Gjinore, dy vlera demokratike të larta, mbase do të duhej të angazhoheshit në respektimin dhe përmbushjen e këtyre të drejtave Kushtetuese të secilit qytetar, e jo të humbnit kohë në sulme e nxitje të urrejtës ndaj meje, pse unë po e kryej me përpikëri detyrën time bazuar në ligjet që i votoni ju në Kuvend të Kosovës”.

Florentina Gjergjaj, Drejtoreshë e Shkollës “Nexhmedin Nixha”, në Gjakovë

Kundër shenjës ndaluese për vënie të shamisë, në derën hyrëse të shkollës ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Kryesia e Bashkësisë Islame ka dënuar aktin e drejtorisë së shkollës në Gjakovë, e cila, sipas tyre, trajton mbulesën e femrës sipas parimeve islame si një veprim ordiner.

“Një trajtim i tillë i parimeve fetare është mendësi e së kaluarës moniste. Mësimet e parimet fetare nuk dëmtojnë e nuk rrezikojnë shoqërinë, përkundrazi edukojnë, mësojnë e fisnikërojnë. Ky është qëllimi i besimit, e në këtë kontekst duhet parë edhe mbulesën e femrës myslimane”, thuhet në reagimin e BIK-ut.

“Për të mos na u përsëritur situata të tilla, kërkojmë edhe njëherë nga Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë, që ta anulojnë nenin 3  paragrafi 1 pika 1.13 të Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014, të cilin e konsiderojmë si burim të këtyre akteve e veprimeve që krijojnë situata të tilla”, thuhet tutje në deklaratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore