Lajme

Ndalesa e pagave për grevistët, Abdixhiku: Ky shantazh demokratik është akt i shëmtuar politik


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ka reaguar ndaj vendimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili sot kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai po e drejton nuk i ka ndarë pagat e muajit gusht grevistëve.

Sipas tij një vendim i tillë do të duhej të ishte gjëja e fundit me të cilën familjet e mësimdhënësve e zyrtarëve publik do të duhej të përballeshin.

Mu për këtë arsye, Abdixhiku ka ftuar Qeverinë për dialog në vend të arrogancës.

“Në inflacion rekord, në krizë të paprecedentë terri veror, në investime kapitale minimale – ky shantazh jodemokratik është akt i shëmtuar politik”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin e tij social në Facebook.

“Mësimdhënësit e zyrtarët shtetëror janë njerëzit tanë. Familjet e tyre janë qytetarë tanë. Politika bëhet për ta. Shpërputhja e pushtetit me kërkesa qytetare – në këtë masë – nuk do të durojë gjatë”, ka shtuar ai.

Çka ndodhi?

Ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se pagat do të dalin vetëm për ditët që konsiderohet që të punësuarit s’kanë qenë në grevë.

“Paga do të duhej të ishte rreth 90 euro më pak për secilin pjesëmarrës në grevë sepse llogaritet se ka punuar për 24 ditë të muajit gusht”, ka shtuar ai.

Murati ka mohuar se dikasteri të cilën ai e drejton ka kërkuar nga komunat listën e grevistëve.

“Sa i përket listave të grevistëve, ne kemi kërkuar që të na paraqitet lista e atyre që janë duke punuar, pra kush është në vendin e punës duhet të lajmërohen. Nuk është kërkuar listë e grevistëve sepse ne tashmë e kemi. Janë mbi 25 mijë persona që janë me SBAShK-un”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore