Lajme

Nata e tretë e trazirave në Suedi për tubimin e ekstremit të djathtë anti-islam


Suedia jugore pa një tjetër natë trazirash të shtunën mbi planet e një partie politike të ekstremit të djathtë anti-islam për të djegur edhe Kuranin, ndër të tjera.

Policia tha se rreth 100 persona kryesisht të rinj hodhën gurë, vunë zjarrin makinave, gomave dhe koshave të plehrave. Gjithashtu vendosën një gardh pengues në qytetin e Landskrona pasi autoritetet zhvendosën një demonstratë të planifikuar atje nga partia daneze Stram Kurs në qytetin e afërt të Malmö rreth 45 kilometra në jug.

Situata u qetësua në Landskrona të shtunën vonë, tha policia, duke shtuar se nuk u raportuan të lënduar në aksion.

Kim Hild, zëdhënëse e policisë në Suedinë jugore, kishte thënë më herët të shtunën se policia nuk do të revokojë lejen për demonstratën e Landskrona të organizuar nga partia Stram Kurs sepse pragu i fjalës së lirë për ta bërë këtë është shumë i lartë në Suedi.

E drejta e protestuesve “për të demonstruar dhe për të folur peshon jashtëzakonisht shumë dhe duhet një sasi e jashtëzakonshme që kjo të injorohet”, tha Hild për agjencinë suedeze të lajmeve TT.

Që nga e enjtja, përleshje janë raportuar gjithashtu në Stokholm dhe në qytetet Linkoping dhe Norrkoping – të gjitha vendet ku Stram Kurs kishte demonstrata.

Të premten në mbrëmje, përleshjet e dhunshme midis demonstruesve dhe kundër-protestuesve shpërthyen në qytetin qendror të Orebro-s përpara planit të Stram Kurs për të djegur një Kuran atje, duke lënë 12 oficerë policie të plagosur dhe katër automjete të policisë të djegura.

Në demonstratën e së shtunës në një park qendror në Malmö, udhëheqësi i Stram Kurs, Rasmus Paludan iu drejtua disa dhjetëra njerëzve. Një numër i vogël i kundër-protestuesve hodhën gurë mbi demonstruesit dhe policia u detyrua të përdorte spraj për t’i shpërndarë ata.

Vetë Paludan u raportua se ishte goditur në këmbë nga një gur, thanë mediat suedeze. Sipas policisë nuk raportohet për lëndime serioze.

Paludan, një avokat danez, i cili gjithashtu ka nënshtetësi suedeze, krijoi Stram Kurs, ose Hard Line, në 2017. Ajo ka një agjendë kundër imigracionit dhe anti-islamit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore