Sport

Napoli fiton apelin për ndeshjen me Juventusin


Skuadra e Napolit ka marrë lajmin e rëndësishëm, pas ankesave të shumta në gjykata sportive, për të riluajtur ndeshjen përballë Juventusit në Torino, ndeshje në të cilen nuk u paraqit, për shkak të disa lojtarëve të infektuar me Covid-19.

Megjithëse, vendimi i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), ishte që Napoli humbet ndeshjen 3-0 në tavolinë dhe i hiqet një pikë në renditje, vendimi i Komitetit Olimpik (CONI) është që ndeshja do të riluhet, në një datë akoma të pacaktuar dhe pika e hequr do t’i rikthehet. Në total, Napoli, nëse fiton kundër Juventusit, mund të rikuperojë tashmë plot katër pikë, duke u afruar më shumë me kreun e renditjes.

Ndeshja do të luhej në 4 tetor, por në ekipin e Napolit kishte dy lojtarë pozitiv me Covid-19 dhe ekipi nuk udhëtoi drejt Torinos, ndonëse rregulli i UEFA dhe FIGC, përcakton qartë se ndeshja shtyhet vetëm në rastet kur ekipi ka më shumë se gjysmën e ekipit së bashku me portierin të prekur me Covid-19.

Rast i ngjashëm me Napolin, ishte dhe rasti i Milanit, të cilët kishin dy lojtarë të prekur me Covid-19, por udhëtuan drejt Crotone.

Gjithsesi vendimi u morr dhe në vazhdim pritet të publikohet data dhe ora, se kur do të zhvillohet ndeshja në “Allianz Stadium” të Juventusit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore