Lajme

Nagavci: Udhëzimi Administrativ për shaminë mbetet në fuqi, dihet karakteri i shtetit tonë


Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një konferencë për media ka bërë të ditur se Udhëzimi Administrativ që u ndalon nxënësve kosovarë bartjen e uniformës fetare në shkolla vazhdon të jetë në fuqi.

Sipas saj fushata për pezullimin e Udhëzimit Administrativ për shaminë ka qenë e paqëndrueshme.

“Dua të bëjë të qartë se nuk ka ndonjë Udhëzim Administrativ për shaminë, nuk ka pas asnjëherë me sa unë e di”.

“Është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe i institucioneve publike. Udhëzimi Administrativ të cilit i kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta”, ka shtuar ajo.

“Është e vërtetë që ky udhëzim ka disa çështje ligjore sepse preambula të cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MASHTI-t, por rekomandimet janë dhënë që ai udhëzim të mbetet në fuqi. Udhëzimi do mbetet në fuqi dhe do shohim si e rregullojmë tutje në aspektin formal ligjor”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe njëri nga iniciuesit e kësaj nisme, Durim Berisha, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ditë më parë, pati njoftuar se Udhëzimi Administrativ që ua ndalon vajzave nën moshën 18 vjeçare bartjen e mbulesës në shkolla, pritet të anulohet para fillimit të vitit të ri shkollor.

“Kemi marrë garanci nga Ministria e Arsimit për ndryshimin e këtij udhëzimi. Prandaj njoftojmë opinionin publik se kampanja #ndryshojeni_ua_për_shaminë shpallët e përfunduar”, kishte shkruar Berisha në Facebook.

Megjithatë me të kumtuar lajmin Nagavci, Berisha, ka bërë të ditur se për çështjen në fjalë do t’i drejtohen gjykatës.

“Që në start jemi përgatitur që këtë çështje ta fitojmë përmes rrugëve gjyqësore, Ashtu edhe do të ndodhë. Por ku po mbeteni ju? Ku po dalloni nga paraardhësit tuaj? Ju dalloni nga ta vetëm për faktin se jeni frikacak, tinëzar e shumë më të padijshëm se ta”, ka shkruar ai në Facebook.

Javëve të fundit, pas më shumë se një dekade, bartja e mbulesës për vajzat e besimit islam në shkollat publike është rikthyer si temë diskutimi në Kosovë.

Një udhëzim administrativ i nxjerr nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës në vitin 2010, vendosi të ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme, në vend.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore