Kosova

Nagavci thirrje policisë dhe prokurorisë t’i trajtojnë me prioritet gjetjet e Auditorit


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, i ka konsideruar tejet shqetësuese gjetjet e auditorit për një sërë parregullsishë në përzgjedhjen e recensentëve për botimin e teksteve.

Nagavci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se nuk do të ndalet deri në eliminimin e parregullësive.

“Beteja me keqpërdorues në proces të përzgjedhjes dhe botimit të teksteve shkollore nuk do të ndalet. Hap pas hapi deri në eliminimin e plotë të parregullsive dhe shpërdorimeve drejt qëllimit të përbashkët për tekste shkollore më cilësore”, ka shkruar Nagavci.

Ndërkaq, i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Policisë t’i trajtojnë me prioritet gjetjet e Auditorit.

“Keqpërdorimet nuk mund të ngelin të pandëshkuara. Keqpërdorimet në arsim kanë ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e fëmijëve tanë. Kjo është përgjegjësi e të gjithëve dhe në veçanti e organeve të drejtësisë. E keqja duhet të ndalet!”, ka thënë Nagavci.

Gjetjet e auditorit të brendshëm për tekstet shkollore.

Ndërsa, ka sqaruar se arsyeja pse ka kërkuar auditim të brendshëm është përzgjedhja e recensentëve, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

“Si përgjigje të shpejtë, kam kërkuar auditim të brendshëm mbi kriteret e përzgjedhjes së recensentëve, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, procedurat e vlerësimit të dorëshkrimeve dhe materialeve mësimore deri në procesin final të botimit të këtyre teksteve”.

Ajo ka thënë se në gjetjet e Auditorit, janë theksuar parregullsi ligjore për vitet 2018-2019.

“Vlerësimi i teksteve të reja shkollore të hartuara dhe botuara për vitet 2018-2019 është zhvilluar me shumë parregullsi ligjore, administrative e profesionale. Menjëherë, më 01 korrik 2022, këto gjetje i kam dorëzuar në Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës”.

Gjetjet e auditorit të brendshëm për tekstet shkollore.

Sipas saj, shndërrimi i teksteve shkollore në mundësi për përfitime ilegale për grupe të ndryshme ka ndikuar negativisht në cilësinë e tyre.

“Shndërrimi i botimit të teksteve shkollore në mundësi përfitimi ilegal për grupe të ndryshme të interesit ka ndikuar negativisht në tërësi procesin dhe cilësinë e teksteve shkollore. I bëj thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të trajtojnë me prioritet gjetjet e Auditorit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore