Lajme

Nagavci: Pagesa ndaj 32 zyrtarëve serbë është ndërprerë


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se është miratuar rekomandimi për raportin e auditimit lidhur me pasqyrat financiare të MASHT-it.

Ndërkaq, shtoi se tashmë është ndërprerë pagesa për 32 zyrtarë të komunitetit serb si zyrtarë të ish mbrojtjes civil për të cilët kishte gjetur edhe raporti i Auditorit se nuk janë prezent në punë.

Rekomandimet të cilat janë miratuar, i ka arsyetuar kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Hykmete Bajrami.

Njëri ndër rekomandimet që u hodhën në votim ishte edhe porosia me kohë e librave që të mos ketë vonesa për shpërndarje te nxënësit.

“Përmirësimi dhe avancimi i sistemit aktuale SMIA në aspektin teknologjik në mënyrë që të mos mund të ndërhyhet në sistem ose të mbesin gjurmë se kush ka bërë ndërhyrje”.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Dhe rekomandimi fundit porosia e librave të bëhet me kohë dhe të mos ketë vonesa gjithmonë duke u bazuar në numrin e regjistruar të nxënësve në sistemin SMIA dhe të ketë një fond rezerv prej 10% të librave nëse këto libra nuk shpenzohen gjatë vitit aktuale mund të përdoren në vitin pasues”, tha Bajrami.

Bajrami, kritikoi ministrat se nuk po iu përgjigjen për raportin para komisioneve të Kuvendit.

“Shprehin një shqetësim për mospërgjigjen e ministrave të Qeverisë sidomos në Komisionin për Mbikëqyrje të financave publike. Këtë raport e kemi shqyrtuar pa prezencën e ministres kemi informacione që në kohën se kur është shqyrtuar raporti ministrja ka zgjedhur të vizitoj një shkollë në Vranjevc”.

Për këtë reagoi edhe ministrja Nagavci e cila tha se çdoherë është përgjigjur sa herë që është ftuar për raportim në Komisionet Parlamentare.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë prej komisioneve që kur ne jemi ftuar si ministri të mos marrim pjesë dhe po ashtu që t’i kërkojmë shtyrje t mbajtjes së Komisionit, dhe po ashtu pozitivisht I jemi përgjigjur pozitivisht secilës kërkesë të grupeve parlamentare për mbikëqyrje të ligjeve të caktuara”.

“Edhe ky raport është shqyrtuar dhe prezent ka qenë zëvendësministri bashkë me zyrtarët e ministrisë që janë përgjegjës”.

Ndër të tjera, ministrja e Arsimit potencoi se tashmë disa nga këto rekomandime kanë nis të zbatohen.

“Pagesa e 32 zyrtarëve të komunitetit serb si zyrtar të ish mbrojtjes civil në vlerë prej 135 mijë e 760 eurove ashtu siç besoj jeni n njohur janë ndaluar pagesat për këta zyrtar dhe të gjithë janë lajmëruar në MASHT dhe kanë thënë se gjatë gjithë këtyre viteve askush asnjëherë nuk i ka kontaktuar dhe nuk ka kërkuar asnjë -punë dhe përgjegjësi nga ta, kjo gjë është edhe njëri nga rekomandimet që do të zbatohet në tërësi dhe nuk do ketë situata të tilla të keqpërdorimit të buxhetit”.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, tha se këtë raport e mbështesin për kërkojnë menaxhim më të mirë të financave publike nga përgjegjësitë në MASHT.

“Ne si grup parlamentar do ta votojmë raportin e Auditorit por kërkojmë nga përgjegjësitë e ekzekutivit të MASHT-it të bëjë menaxhim më të mirë të financave publike dhe të jetë më transparent dhe llogaridhënës në punën e tyre dhe të keni vëmendje të shtuar në shpenzimin e parasë publike ”.

Më 3 shkurt, Sindikatat e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka reaguar ndaj Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve relevante lidhur me pagesën e 32 zyrtarëve serb të cilët janë paguar, pa shkuar asnjë ditë në vendin e punës, duke e quajtur këtë diskriminim profesional, pasi sipas tyre mësimdhënësit të cilët janë me sëmundje të rënda nuk paguhen.

SBASHK ka thënë se ky veprim i MASHTI-t, por edhe i ministrive e institucioneve tjera, meriton të kritikohet, jo pse ata zyrtarë janë serbë, po pse për individë, kushdo janë ata e që kurrë nuk i pa kush në vende të punës.

Ndryshe, Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka bërë të ditur se nga shkurti i këtij viti nuk do të marrin pagë 32 zyrtarë të komuniteti serb, të cilët pa shkuar fare në punë i kanë kushtuar shtetit mbi 135 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore