Lajme

Nagavci nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e pesë çerdheve në pesë komuna të Kosovës


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se kanë nënshkruar kontratë për ndërtimin e pesë çerdheve të reja në pesë komuna të ndryshme.

Këtë njoftim Nagavci e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“E lumtur që në kuadër të përmbushjes së zotimit tonë, sot nënshkruam kontratat për ndërtimin e 5 çerdheve të reja. Këto objekte do të ndërtohen në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Kamenicë dhe Doberçan të Gjilanit”.

Nagavci shtoi se, “ndërtimi i këtyre objekteve pritet të fillojë javën e ardhshme”.


Ajo ka thënë se si ministre e Arsimit do të angazhohet edhe për ndërtimin e çerdheve në komuna të tjera.

“Si Ministri e Arsimit jemi në kontakt edhe me komunat tjera për evidentimin e hapësirave për ndërtimin e çerdheve të reja”.

Teksa ka përmendur edhe komunën e Junikut dhe disa objekte të tjera të cilat do të shndërrohen në çerdhe.

“Ndërkohë, në Junik një objekt i shkollës është duke u renovuar dhe do të shndërrohet në çerdhe. Kurse edhe 4 objekte tjera si në Banjë të Malishevës, në Korenicë të Gjakovës, në Muzeqinë të Shtimës si dhe në Babush të Ferizajt janë në procedurë të tenderimit për t’u shndërruar në çerdhe”.

Ndryshe, që nga 25 gushti në grevë janë punëtorët e arsimit, punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte zhvilluar takim me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, por që takimi kishte përfunduar pa ndonjë rezultat në këtë drejtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore