Shqipëria

Nafta u bën “naftën” çmimeve


Mëngjesin e së hënës, qytetarët shqiptarë u përballën me rritje të çmimeve të produkteve të ndryshme, në supermarkete, apo shërbime të tjera, si transporti rrugor.

Një nga “tematikat e nxehta” të tyre ishte rritja e çmimit të naftës brenda 24 orëve: një litër naftë, më 7 mars 2022, kushtoi 30-35 lekë më shumë se një ditë më parë.

Sipas gazetarit Klodian Tomorri, ky ndryshim “me 20% më shumë brenda natës” është i pamundur të ndodhë “as matematikisht”, pasi kostoja nuk ndërtohet brenda natës.

Më tej, Tomorri në një gjykim hipotetik thotë se, e vetmja mënyrë që ky çmim të justifikohet, është nëse kompania që rriti çmimin e naftës “brenda sekondës vajti bleu anijen, e shkarkoi dhe e shpërndau nëpër pikat e pakicës me çmimin e ri…?”

Njëjtë e kontekstualizon situatën edhe analisti dhe gazetari, Mentor Kikia.

Teksa shprehet dyshues për rritjen e çmimit, ngre pyetjen: kjo është pasojë reale e luftës që po ndodh prej dy javësh në Ukrainë, apo “të na rrojë sebepi i luftës” dhe ne jemi duke paguar edhe koston e babëzisë?

Të dy gazetarët, ndërsa përpiqen të analizojnë, takohen në një pikë: kjo situatë ka nevojë për hetim.

Por çfarë ndodhi?

“Dollari”, argumenton Tomorri, “nuk u rrit me 13% brenda natës, që të jetë pasojë e kursit. Edhe nëse do të ishte rritur, tregtarët shqiptarë nuk u furnizuan pikërisht në sekondën e parë, pasi ndodhi rritja”.

Ai shpreh bindjen se, edhe nëse do të kishte ndodhur që tregtari ta merrte naftën me 13% më shtrenjtë, “efekti i çmimit në pompë duhet të ishte vetëm 7%, pasi gjysma e çmimit final formohet nga taksat dhe s’ka lidhje me çmimin në bursë”.

Kikia vijon diskursin i bindur se lufta është një kohë e artë për të bërë biznes dhe “ndryshe nuk ka si shpjegohet që në Shqipëri rritja është me katapultë dhe më e lartë se në të gjitha vendet e rajonit, të paktën”.

Analisti e drejton gishtin kah qeverisë, e cila, sipas tij, duhej të kishte rezerva karburanti dhe ushqimi, në mënyrë që të zbusë krizat.

“Por, edhe nëse është kështu, për çfarë e kemi shtetin ne? Përse zgjedhim qeveri një herë në 4 vjet? A nuk duhet të kishte rezerva shteti në karburante, ushqime etj., etj., për të zbutur kriza e ndihmuar njerëzit në raste të tilla?”

Po sikur të ishim përfshirë ne në një konflikt”, pyet gazetari, “çfarë do të hanim sot?”

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se “çmimi i naftës nuk varet nga qeveria”.

Gjatë një konference për shtyp më 8 mars, ai tha se e gjithë Evropa është në krizë dhe si pasojë e kësaj “duhet të përgatitemi për çdo skenar”.

Kjo, duke nënkuptuar se çmimet mund të vazhdojnë të rriten përsëri.

Përse u rrit çmimi i naftës?

Gazetari Tomorri argumenton se, edhe pse eksportet ruse të naftës nuk janë prekur nga sanksionet dhe vazhdojnë njësoj si më parë, “tregjet janë duke faktorizuar rrezikun se herët a vonë kanali rus do të mbyllet”.

Por në Shqipëri, siç u theksua më parë, rritja ishte më e madhe se në vendet e rajonit dhe, sipas tij, i vetmi aktor që përfiton nga kjo është qeveria.

“Momentalisht aktori i vetëm që fiton nga rritja e çmimit të naftës është qeveria. Vetëm prej tatimit mbi vlerën e shtuar, sot qeveria mbledh 16 lekë më shumë taksë për çdo litër naftë që shitet në treg krahasuar me disa muaj më parë”.

Këtë përfitim, ravijëzon Tomorri, qeveria e merr në kurrizin e gjithë të tjerëve dhe “ç’është më e rëndësishme në kurriz të ekonomisë”.

Prandaj, duke patur parasysh edhe inflacionin në kufijtë e sipërm të objektivit ligjor, tani edhe rritja e çmimit të naftës “do të frenojë rritjen ekonomike, si dhe do të rrisë varfërinë”, shton ai.

Ndaj opsioni më i mirë që Qeveria ka në dorë për të zbutur pasojat e asaj që po vjen, shkruan Tomorri, është t’i kthejë mbrapsht ato të ardhura që mbledh më shumë nga rritja e çmimit të naftës.

“Dhe një zgjidhje do të ishte ngrirja përkohësisht e taksës së qarkullimit. Të paktën derisa dallga të kalojë dhe tregjet të stabilizohen”.

Roli i qeverisë

Kryeministri Rama bëri me dije se tanimë ka zyrtarizuar krijimin e një “komiteti të posaçëm” për përballimin e krizës nga lufta në Ukrainë.

Për sa i përket heqjes së taksave, kreu i Qeverisë e cilësoi si absurd këtë propozim.

Kjo, sepse sipas tij, Qeveria po mundohet të mbajë të palëvizur “në kushtet e një kërcënimi shumë herë më të lartë se çmimi i naftës”, çmimin e energjisë.

Dhe kjo kosto shtesë e çmimit të energjisë, thotë Rama, “përballet pikërisht falë kontributeve”.

Reagimet e qytetarëve

Në Shqipëri, si pasojë e rritjes së çmimit të arit të zi, nuk ka patur lëvizje apo protesta të shumta nga qytetarët.

Në një artikull, analisti Kikia shpreh se “ne ‘të indinjuar’ nga kjo situatë kemi filluar një kryengritje të fortë facebook-ore, si dhe po bëjmë meme shumë të forta”.

Por ka patur edhe nga ata që kanë dalë të shprehin pakënaqësinë e tyre.

Mbështetësit e Organizatës Politike kanë dalë ditën e hënë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kundër rritjes së çmimeve.

Ata kanë njollosur muret e Ministrisë duke kërkuar dhe ulje të çmimeve.

Sesa do të dëgjohet zëri i qytetarëve mbetet për t’u parë ditët në vazhdim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore