Shqipëria

Nafta në stratosferë, kap çmimin rekord


Bordi i Transparencës, pas mbledhjes së zhvilluar të premten e 17 qershorit, ka vendosur çmimet e reja për shitjen e karburantit në Shqipëri.

Këto çmime do të hyjnë në fuqi gjatë kësaj dite pas orës 18:00.

Kështu Bordi vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i naftës të jetë 265 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë 253 lekë/litër.

Në krahasim me vendimin e shkuar, nafta është rritur me 7 lekë. Ky është çmimi më i lartë që ka vendosur Bordi që prej krijimit të tij.

Po ashtu, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë do të jetë 241 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 229 lekë/litër.

Në krahasim me vendimin e shkuar, benzina ka rënë me 2 lekë.

Gazi do të shitet me pakicë 86 lekë/litër me pakicë dhe i shitjes me shumicë 74 lekë/litër për automjetet.

Bordi thekson se çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që, në pikat e tjera, për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën.

“Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi”, shkruhet në vendim.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Bordi thekson se janë në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore