Lajme

Myanmar – popullsia largohet – mes luftimeve të ashpra


Pothuajse tetë mijë banorë të një qyteti në Myanmar janë larguar pas luftimeve midis ushtrisë dhe forcave të milicisë kundër grushtit ushtarak.

Një numër shtëpish në Thantlang, shteti Chin, u dogjën nga artileria gjatë luftimeve në fundjavë.

Mendohet se mijëra banorë kanë ikur në Indi përtej kufirit të afërt.

Ushtria e Myanmar-it e mori pushtetin pas një grushti shteti në muajin shkurt, duke shkaktuar protesta të mëdha dhe formimin e milicisë kundërshtare.

Një pastor i krishterë u raportua se u qëllua për vdekje nga ushtarët, teksa u përpoq të shuante zjarrin në një ndërtesë.

Salai Lian, zëdhënës nga Komiteti i Çështjeve të Vendosjes Thantlang – organizatë që ndihmon njerëzit e shpërngulur – pohoi se forcat ushtarake kishin filluar “të qëllonin mbi shtëpitë” në qytet, duke bërë që njerëzit të iknin.

Një banor tha se “gati 100 për qind e banorëve janë larguar. Vetëm ata punonjës të qeverisë, që nuk marrin pjesë në lëvizjen e mosbindjes civile dhe trupat e ushtrisë, mbeten në qytet”.

Në shtetin indian të Mizoram, kreu i një grupi të shoqërisë civile, për Reuters tha se 5 mijë e 500 njerëz kishin mbërritur nga Myanmar në dy rrethe Mizoram gjatë javës së kaluar.

Raportuesi special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Thomas Andrews, tha se situata në Thantlang ishte “ferri i gjallë”.

Në gusht, gjenerali Min Aung Hliang e shpalli veten kryeministër dhe tha se gjendja e jashtëzakonshme e vendit do të zgjatet.

Demonstratat u përhapën në të gjithë vendin pas grushtit të shtetit në shkurt.

Forcat e sigurisë u përgjigjën me një goditje brutale, duke vrarë më shumë se 1 mijë njerëz dhe arrestuar më shumë se 6 mijë persona, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore