Lajme

Myanmar/ Mbi 15 viktima pas thirrjes së kryengritjes mbarëkombëtare


Afro 20 fshatarë, përfshirë disa adoleshentë, janë vrarë në disa nga luftimet më vdekjeprurëse të Myanmar-it që nga korriku midis trupave qeveritare dhe forcave të rezistencës.

Luftimet pranë qytetit të Gangaw në rajonin veriperëndimor Magway filluan të enjten, dy ditë pasi një thirrje për një kryengritje mbarëkombëtare u lëshua nga Qeveria e Unitetit Kombëtar, një organizatë opozitare që kërkon të koordinojë rezistencën ndaj sundimit ushtarak.

Luftimet shpërthyen kur më shumë se 100 trupa mbërritën në katër automjete ushtarake për të siguruar zonën në Myin Thar dhe pesë fshatra të tjerë aty pranë, tha një banor për agjencinë e lajmeve “Associated Press”.

Anëtarët e një milicie të vetëmbrojtjes të fshatit të armatosur lehtë qëlluan me paralajmërim, por nuk mund t’i ndalonin ushtarët të hynin në zonë dhe përleshjet vazhduan edhe pas kësaj, tha banori, i cili foli në kushte anonimiteti për të ruajtur sigurinë e tij personale.

Lëvizja opozitare që u ngrit kundër marrjes së pushtetit nga ushtria në shkurt nga qeveria e zgjedhur e Aung San Suu Kyi, ishte fillimisht paqësore, por gradualisht filloi të luftojë pasi forcat e sigurisë përdorën forcën vdekjeprurëse për të prishur protestat jo të dhunshme.

Thirrja e Qeverisë së Unitetit Kombëtar të martën për një “luftë mbrojtëse të njerëzve” ka marrë një përgjigje entuziaste në mediat sociale, por ndikimi i saj aktual në terren është i vështirë të matet.

Media mbështetëse ndaj opozitës raportoi një shpërthim të shtënash në shkallë të vogël dhe sabotim nga rezistenca, veçanërisht rrëzimin e kullave të transmetimit të telefonit celular.

Aktivitete të ngjashme kanë ndodhur për disa muaj dhe detajet janë të vështira për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur.

Fshatari që përshkroi luftimet e reja tha se të paktën 11 anëtarë të grupit të vetëmbrojtjes u vranë, sipas asaj që i thanë të tjerët në fshatin e tij.

Ai tha se banorët e tjerë i thanë atij se shumica e anëtarëve të forcës mbrojtëse të fshatit janë të rinj dhe se pesë nga të vrarët ishin nxënës të klasave të 9-ta dhe të 10-ta. Një mësues i shkollës së mesme gjithashtu u tha se ishte vrarë.

Anëtarët e më shumë se 2 mijë familjeve në zonë kishin ikur në xhungël, shtoi ai, ndërsa ushtarët fushuan në shtëpitë e braktisura dhe në manastirin budist lokal. Katër persona të tjerë u konfirmuan të vdekur pasi luftimet shpërthyen përsëri të Premten në mëngjes, tha ai, dhe një numër i panjohur shtëpish u dogjën.

Raportet e mediave të pavarura thonë se numri i të vdekurve në mesin e fshatarëve është 20 ose më shumë.

Sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë, një organizatë e pavarur që mban përmbledhje të hollësishme të njerëzve të vrarë ose ndaluar nga qeveria ushtarake, ka pasur 1 mijë e 58 aktivistë dhe kalimtarë të rastit të vrarë që nga marrja e ushtrisë në shkurt.

Qeveria këtë javë pretendoi se forcat e rezistencës kanë qenë përgjegjëse për vdekjen e 933 njerëzve, raportoi “Popular News”, duke cituar zëvendës ministrin e brendshëm, Gjeneral Soe Tint Naing.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore