Shqipëria

Muzeu hebraik në Vlorë si simbol për krenarinë shqiptare, besën


Në Shqipëri, para Luftës së Dytë Botërore, jetonin rreth 300 hebrenj.

Gjatë Holokaustit, Shqipëria ishte një nga vendet e pakta në Evropë ku numri i hebrenjve u rrit, duke arritur në afërsisht dy mijë.

E gjitha falë mbrojtjes që iu dha hebrenjve nga shqiptarët myslimanë, të cilët i strehuan.

Shqipëria e ka një muze të vogël hebraik të quajtur Muzeu i Solomonit në qytetin e Beratit, në të cilin kanë ardhur hebrenjtë nga Spanja në shekullin e XVI-të.

Ai i kushtohet kryesisht përshkrimit të mënyrës se si hebrenjtë u shpëtuan nga myslimanët dhe të krishterët gjatë Holokaustit.

“Ky është një muze i vogël, privat, një punë dashurie”, ka treguar profesoreshë Barbara Kirshenblatt-Gimblett.

Ai tregon në mënyrë modeste historinë se si myslimanët dhe të krishterët në vend ndihmuan në shpëtimin e qindra hebrenjve gjatë Holokaustit.

Ndryshe mund të quhet një “muze popullor”, një zhanër më vete.

Kurse institucioni i ri është ideja e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Alketa Kurrizo, e cila e përfaqëson atë OJQ, ka sqaruar se ekziston një prani e dokumentuar e hebrenjve në Shqipëri që daton në shekullin e II-të.

Në fund të shekullit të XIV-të, hebrenjtë romaniotë, me origjinë nga Ballkani, migruan nga Greqia në Shqipëri.

Në fund të shekullit të XV-të, gjatë Inkuizicionit, sulltani turk i ftoi hebrenjtë të jetonin nën sundimin mysliman në Perandorinë Osmane dhe disa hebrenj spanjollë u vendosën gjithashtu në Shqipëri.

Vlora, deri në vitin 1990, ishte selia e komunitetit të vogël hebre dhe u zgjodh si vendi i muzeut dhe jo si kryeqyteti, Tirana.

Ajo do të ndërtohet përballë vendit ku qëndronte sinagoga e qytetit dhe do të jetë pjesë e një kompleksi kulturor, duke përfshirë një muze historik dhe një muze etnografik.

Firma izraelite Kimmel Eshkolot Architects, e cila më parë ka projektuar sallën përkujtimore në malin Herzl në Jerusalem dhe Muzeun e Historisë Natyrore në Universitetin e Tel Aviv-it, ka fituar konkursin ndërkombëtar për projektimin e ndërtesës së Vlorës.

Kjo ndërtesë do të jetë relativisht e vogël me një sipërfaqe prej 1 mijë e 300 metra katrorë. Dy kate do t’i shtohen ndërtesës kryesore, e cila duhet t’i nënshtrohet ruajtjes historike.

Po ashtu arkitektët kanë projektuar një zonë të jashtme takimesh publike që do të shërbejë edhe si një vend përkujtimor.

Sakaq, pavijoni i hyrjes është projektuar që t’i ngjajë një blloku guri.

“Duam një lloj ikone në hyrje”, ka treguar arkitekti Limor Amrani.

Poshtë saj do të ketë një hapësirë ​​për ekspozita të radhës që mund të aksesohet në mënyrë të pavarur nga ndërtesa kryesore. Dhe se materialet bashkëkohore do të përdoren në shtesat e ambienteve historike.

“Planifikimi është në një shkallë të këndshme, njerëzore. Ekziston një ndjenjë e një vendi që nuk ishte kapërcyer nga përparimi dhe ne donim të krijonim një shtesë që do të përshtatej me këtë”, ka treguar arkitekti Assaf Kimmel.

Ndërkohë, elementet e ndryshëm që përbëjnë sitin formojnë një hapësirë ​​trekëndore që arkitektët po ia kushtojnë një koncepti lokal, “besës”.

Ashtu siç e përshkruajnë edhe studiuesit në qendrën e Holokaustit Yad Vashem në Jeruslem, “ndihma e ofruar për hebrenjtë mund të ketë qenë e bazuar në një kod nderi shqiptar të quajtur besa”.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore