Kosova

Mustafa “teston” Osmanin: Trego nëse neni 7 i “Marrëveshjes Bazë” është në harmoni me Kushtetutën


Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes llogarisë së tij në rrjetin social Facebook, ka shprehur pikëpamjet e tij në lidhje me “Marrëveshjen Bazë” të arritur mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të hënën në Bruksel.

Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht përmbajtja e marrëveshjes, por kosovarëve përveç themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe iu kërkohet që së bashku me serbët ta formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Mustafa me këtë rast ka zgjedhur të “testojë” njohuritë juridike të presidentes Vjosa Osmani, pikërisht për nenin 7 të “Marrëveshjes Bazë” e cila parasheh një formë të vet-menaxhimit për serbët në Kosovë, sipas përvojave evropiane.

“Le të tregojë Presidentja Osmani, që vet-shitet si juriste e fortë se a është kjo në harmoni me Kushtetutën; a parasheh Kushtetuta e Kosovës të drejta asimetrike për komunitetet, që serbet të kenë të drejta kolektive të vet-menaxhimit, kurse komunitetet e tjera jo?”, pyeti fillimisht ai.

“Menaxhimi përfshin planifikimin, organizimin, personelin, drejtimin (udhëheqjen) dhe kontrollin. Pra kompetenca ekzekutive. Këto i pranoi kryeministri ynë. Asociacioni është diçka tjetër”, shtoi Mustafa.

Propozimi evropian që fillimisht u prezantua si “plan fillestar”, pastaj si dokument i modelit “merre ose lëre”, tani ka marrë konturat e një Marrëveshjeje Ndërkombëtare duke u ripagëzuar “Marrëveshja për rrugën e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndryshe, vetë Osmani tha se me këtë marrëveshje pala kosovare ka pranuar edhe disa propozime jo të lehta që lidhen me vet-menaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.

Kryeministri Kurti nga ana tjetër vazhdimisht ka deklaruar se një mekanizëm një-etnik, do ta gjymtonte funksionalitetin e Kosovës multi-etnike, duke trumbetuar kështu “minishtetin” serb në Kosovë.

Ndërsa plani i propozuar franko-gjerman, që gëzon edhe mbështetjen amerikane, nuk e përfshin njohjen reciproke, sikur ngulmonte vazhdimisht Kurti, e madje as nuk përmendet specifikisht anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore