Lajme

Mustafa: Luftëtarët e lirisë i kemi në burg, pak e meritojmë këtë që e kemi


Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka vlerësuar “turp kombëtar”, faktin që luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kanë kaluar ndërrimin e moteve në burg.

Mustafa, në shkrimin e tij në rrjetin social ‘Facebook’, ka përmendur edhe liderët që sipas tij e përmbytën diktaturën komuniste.

“Drejtësi shtetërore apo turp kombëtar? Vështirë është të krenohemi këndej e andej kufirit kur luftëtarët kryesorë të lirisë dhe liderët që e përmbysën diktaturën komuniste e kalojnë ndërrimin e moteve në burg dhe arrest në emër të popullit!”.

Ai ka potencuar se me situatën aktuale Kosova pak e meriton lirinë e fituar.

“Më mirë ta pranojmë se të gjithë ne jemi në arrest mendor e intelektual dhe se pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë”, ka shkruar ai.

Aktakuza kundër ish krerëve të UÇK-së

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore