Zgjedhjet në Kosovë

Mustafa: LDK-ja është shkollë për të gjithë dhe do fitojë


Lidhja Demokratike e Kosovës “është shkollë”, jo vetëm për partitë në Kosovë, por për të gjitha partitë në Ballkanin Perëndimor ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një intervistë me shkrim për Albanian Post.

“Dy herë kemi drejtuar qeverinë dhe kemi dëshmuar sesi qeveriset me mendje, si qeveriset mirë dhe pa korrupsion. Ne jemi shkollë për krejt. Jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Mustafa.

Për këto “qeverisje të mira”, Mustafa shprehet i bindur që LDK-ja do të shpërblehet nga kosovarët me votë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Në çdo palë zgjedhje e kemi rritur përkrahjen dhe numrin e votuesve. Kemi dalë bindshëm të parët edhe në zgjedhjet e fundit lokale”.

Sondazheve të fundit që e nxjerrin LDK-në të tretën pas Lëvizjes Vetëvendosje e Partisë Demokratike të Kosovës Mustafa nuk iu beson.

“Unë i besoj vetëm vullnetit të popullit”, deklaroi ai. Madje numrat e prezantuar nëpër sondazhe i quan “fushatë e orkestruar”. Dyshon se po organizohen nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Fushata që po zhvillohet përmes sondazheve të organizuara nga VV është diktatoriale”.

Bashkimin e Vjosa Osmanit – ish-nënkryetares së LDK-së dhe kandidates për kryeministre të kësaj partie në zgjedhjet e kaluara – me Lëvizjen Vetëvendosje e ka cilësuar si “mercenarizëm politikë”, por, sipas Mustafës, kjo s’ndikon dot te votuesi i LDK-së.

“Tendenca që të përvetësohen votuesit e LDK-së për këto qëllime (marrjen e votave nga LDK) është mercenarizëm politik”.

“Votuesit dhe përkrahësit e LDK-së nuk bëhen objekt i mercenarëve që janë futur në listën e VV-së. Janë shumë më të mençur e më besnik”, thotë ish-kryeministri i Kosovës për Albanian Post.

LDK, që në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit garon në një listë me Aleancën Kosova e Re, partinë e Behgjet Pacollit, ka prezantuar si kandidat për kryeministër Avdullah Hotin.

Mustafa është i kënaqur me Hotin. Mendon se fushatën po e zhvillon mirë dhe po garon me program “në cilësinë e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës”.

Ndryshe nga LDK-ja që po shpalosë program qeverisës, sipas Mustafës, Lëvizja Vetëvendosje po garon për diçka tjetër – diçka më shumë se veç qeveri.

“Ata që duan krejt na çojnë drejt në kollapsim të shtetit dhe të demokracisë. Ata duan ta marrin krejt shtetin, por qytetarët nuk ia japin askujt monopolin dhe diktaturën”.

Legjislaturës së ardhshme, pos kryeministrin e qeverinë, do t’i duhet ta zgjedhë edhe presidentin e ri. LDK-ja, ndryshe nga shumica e partive kryesore, ende s’ka përmendur dikë si kandidat nga radhët e tyre.

Mustafa thotë se LDK-ja jo vetëm se ka kandidat, por ka shumë – megjithatë, s’ka cekur ndonjë emër të përveçëm.

“Ne synojmë ta drejtojmë qeverinë. Por kemi kandidatë për president larg më të mirë sesa ata që janë përmendur nga subjektet tjera”.

Mustafa ka folur edhe për pozitën e tij në parti edhe pse konsideron që kjo s’është temë fare tani, përkundër se ka zëra që ia kanë kontestuar qëndrimin në krye të LDK-së.

“Zgjedhjet partiake i kemi përfunduar në gusht të vitit 2019”, deklaron ai, duke lënë të kuptohet se s’ka rrotacion pushteti tash shpejt në krye të LDK-së.

“Shoh tendenca që qarqe që s’kanë lidhje me LDK-në po derdhin lot për lidershipin e LDK-së. Sa më shumë shoh tendenca të tilla aq më shumë bindem se kemi lidership të mirë, jo lidership hibrid, por origjinal të LDK-së”./AlbanianPost.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore