Lajme

Mustafa: Çdo gjë pritet nga ata të cilët pas perdes merren vesh me pasuesit e Millosheviç-it


Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se drejtësia sot nuk e cilësoi “kriminel” avokatin e mirënjohur kosovar dhe ish-këshilltarin e tij Besnik Berisha.

“Çdo gjë pritet nga ata, të cilët pas perdes merren vesh me pasuesit e Millosheviçit për t’u organizuar bashkërisht për të kundërshtuar e kërkesat e Veteranëve të UÇK-së”, shkroi Mustafa në Facebook.

Por, ai ka theksuar se “duhet të gëzohemi se gjyqësia”, të cilën shpesh po e kritikojmë, pas debatit maratonik për këtë rast, u tregua e drejtë dhe nuk u dorëzua para kërkesave absurde “të karaxhozëve që deficitet e tyre profesionale i kompensojnë me aleanca me pushtetin”.

“Të cilët e harrojnë betimin e dhënë për zbatimin e Kushtetutës por bëhen hyzmeqarë të atyre që kanë dalë nga fakulteti pa bërë fakultet”.

“Doli që kriminel mund të jetë pushteti, që porositi apo ndikoi në arrestimin e tij. Në arrestimin e kompetencës profesionale, arrestimin e guximit për të shprehur mendimin; arrestimin e dinjitetit njerëzor”.

Mustafa ka theksuar dolën të zhgënjyer ata që deshën të njollosin qeverinë që unë e drejtova duke aluduar se u arrestua për krim ish këshilltari i saj, “do të thoja për “nacionalizëm e irredentizëm”, siç ua mveshte UDB-ja jugosllave atyre që i ndiqte t’i eliminonte e s’kishte argumente dhe fakte për ndonjë vepër konkrete.

“Është inkurajues guximi i disa përfaqësueseve të mediave për shprehjen pa hezitim të mendimit të tyre për personalitetin e avokatit Berisha, dhe atë jo për të ndikuar në drejtësi por për të kërkuar drejtësi, siç është edhe ky opinion imi”, shtoi ai.

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka potencuar se Kosova meriton shtet ligjor, avokatë të fortë e të guximshëm, prokurorë e gjyqtarë që zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën e nuk veprojnë me porosi.

“Vetëm kështu, ne si qytetarë mund të ndihemi të sigurt. Nuk na bëjnë të sigurt sondazhet e partive politike por zbatimi i Kushtetutës dhe ndërtimi i shtetit të mirëfilltë ligjor”.

Ky reagim i Mustafës vije pasi Gjykata Themelore e Ferizajt përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka caktuar masën e sigurisë ndaj shtatë të dyshuarve në mesin e të cilëve është edhe avokati Berisha.

Ata dyshohen për veprat “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, “ushtrimi i ndikimit”, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore