Lajme

Mustafa: Ai që ka besuar se Kurti s’do të respektojë fusnotën ka jetuar në iluzione


Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nëse dikush ka besuar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të respektojë fusnotën ashtu siç është definuar, atëherë ka jetuar në iluzione.

Reagimi i Mustafës ka ardhur pasi që i pari i ekzekutivit në mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, ka pranuar që të ulet në një tavolinë ku përpara tij në një tabelë të bardhë me të zeza shkruhej emri i Kosovës me fusnotë.

“Kurti ka luftuar për pushtet jo për parime. Shihet qartë se ai po i pëlqen më shumë pushteti sesa deklaratat dhe qëndrimet që i ka demonstruar si opozitar”, ka thënë Mustafa, në një intervistë për Lajmi.net.

“Kurti, ka kundërshtuar fusnotën dhe e ka shpallur akt të tradhtisë. Deklarata të tilla dhe etiketime nga ana e tij janë të shumta, tipike folklorike të destinuara për ‘analfabetët funksional’ nga programi i tij politik. Tani ai nuk ia sheh për të madhe vetes së tij që ulet me mbishkrimin e Kosovës me fusnotë para tij”, ka shtuar ai.

Mustafa, ka potencuar se ai vet sa ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ishte pajtuar me fusnotën dhe për këtë shkak ishte cilësuar si anti-amerikan dhe anti-evropian në atë kohë nga përfaqësues të caktuar diplomatik.

Por, megjithatë sipas tij si kryeministër ai i ka respektuar marrëveshjet e shtetit të tij, ashtu siç ka bërë edhe me fusnotën.

Albin Kurti në mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit

Ndryshe Ish-nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, e ka quajtur “tigër prej letre”, Kryeqeveritarin Kurti, pas përfaqësimit të Kosovës me fusnotë.

“Ylli në ballë JO, por në tavolinë”, ka shkruar shkurt ajo në rrjetin e saj social Facebook.

Për këtë situatë ka reaguar Ministrja e Drejtësisë dhe njëheritë bashkëpartiakja e Kurtit, Albulena Haxhiu, e cila ka potencuar se koncesionet në kurriz të shtetit dhe qytetarëve që i bënë qeveritë e kaluara nuk mund të zhbëhen menjëherë.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët, përfaqësohen denjësisht nga kryeministri Kurti, brenda e jashtë vendit, fatkeqësisht këtë përfaqësim nuk e kemi parë kurrë më parë por fat i mirë që tani Kosova shihet ndryshe”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

“Këta që tash shtiren kinse janë kundrejt fusnotës, asokohe kur fusnota u instalua nuk e thanë asnjë fjalë të vetme kundër asaj marrëveshje, përkundrazi iu bashkuan qeverisë së asaj kohe kinse fusnota ‘do të shkrihej porsi fjolla e borës’, prandaj këta askush nuk i merr seriozisht”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore