Pajisje

Musk, optimist se Starship-i do të arrijë në orbitë këtë vit


Sipërmarrësi Elon Musk është shprehur me “shumë besim” se SpaceX Starship-i i tij i ri, projektuar për udhëtime në Hënë dhe Mars, do të arrijë në orbitën e Tokës për herë të parë këtë vit.

Dhe se kjo do të ndodhë, pavarësisht një morie pengesash teknike dhe rregullatore që janë ende për t’u kapërcyer.

Ai iu drejtua një shumësie mbështetësish në objektin e kompanisë së tij Starbase në Boca Chica, TeXas, për një prezantim që kombinoi një tubim të teknologjisë së lartë me video në ekran të madh dhe një sesioni pyetje-përgjigje.

Agjencia e lajmeve “Reuters” tregon se reagimi i tij ka ardhur nëntë muaj pasi sipërmarrja hapësinore private me bazë në California arriti nisjen e parë të suksesshme dhe uljen e një rakete prototipi Starship në një fluturim provë.

Diçka që u arrit pasi katër përpjekjet e mëparshme të uljes përfunduan me shpërthime.

Atje, Musk pranoi vështirësitë me të cilat është përballur SpaceX në zhvillimin e motorëve Raptor 2 për raketën Super Heavy, një përforcues lëshimi i gjeneratës së ardhshme i krijuar për të transportuar anijen kozmike Starship në orbitë.

Mes të tjerash, ai përmendi edhe problemet me shkrirjen brenda dhomave të shtytësve të motorëve nga nxehtësia e madhe.

Megjithatë, ai tha se ndodhet shumë afër zgjidhjes së këtij problemi.

Gjithashtu tha se pritet të rrisë prodhimin në rreth shtatë ose tetë motorë në javë deri në muajin e ardhshëm dhe të prodhojë një Starship të ri dhe një përforcues çdo muaj deri në fund të vitit.

“Në këtë pikë ndihem shumë i sigurt se do të arrijmë në orbitë me Starship-in këtë vit”, tha Musk.

Një kornizë e tillë kohore do të shënonte një arritje ambicioze, madje edhe për një fluturim orbital testues pa ekuipazh të kombinimit Super Heavy/Starship.

Çka është hapi tjetër nga raketa aktuale Falcon 9 e SpaceX-it, për të cilën Musk-u tha se ka kryer 144 lëshime të suksesshme dhe 106 ulje kthimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore