Aplikacione

Musk i thotë stafit të Twitter-it ose të punojnë me orë të zgjatura ose të largohen


Elon Musk raportohet se i ka thënë stafit të Twitter-it se ata duhet të angazhohen për të punuar me “orë të zgjatura me intensitet të lartë”.

Në të kundërt, të largohen nga kompania.

Pronari i ri i platformës, përmes një email-i drejtuar stafit, ka thënë se punëtorët duhet të pajtohen me zotimin nëse duan të qëndrojnë.

Ai ka thënë po ashtu se Twitter-i “do të duhet të jetë jashtëzakonisht i fortë” në mënyrë që të ketë sukses.

“Kjo do të thotë të punosh me orë të gjata me intensitet të lartë. Vetëm performanca e jashtëzakonshme do të jetë një notë kaluese”, ka  vijuar ai.

Punonjësve u është thënë që të regjistrohen brenda pasdites së kësaj të enjteje nëse duan të jenë “pjesë e Twitter-it të ri”.

“Çfarëdo vendimi që të merrni, ju falënderoj për përpjekjet tuaja për ta bërë Twitter-in të suksesshëm”, ka shtuar Musk.

Tanimë, ai ka njoftuar se gjysma e stafit të Twitter-it do të pushohen, pasi ai bleu kompaninë në një marrëveshje prej 44 miliardë dollarësh.

Sipas tij, nuk kishte zgjidhje mbi shkurtimet, pasi kompania po humbte katër milionë dollarë në ditë. Ai ka fajësuar “grupet aktiviste që u bëjnë presion reklamuesve për rënien masive të të ardhurave”.

Po ashtu një mori drejtuesish të lartë të Twitter-it kanë dhënë dorëheqjen pas blerjes së firmës nga ana e tij.

Kurse javën e kaluar, ai i ka thënë stafit se puna në distancë do të përfundonte dhe se “kohë të vështira” do të vinin.

Kështu, punonjësit e kompanisë do të duhet të punojnë në zyrë për të paktën 40 orë në javë.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Musk njofton pushimet masive nga puna në Twitter

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore